Meksika i kërkon SHBA-së që të mos dërgojë imigrantë nga vende të treta në territorin e saj

Amerika

Meksika i kërkon SHBA-së që të mos dërgojë imigrantë nga vende të treta në territorin e saj

Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 18:01
Claudia Sheinbaum

Meksika po kërkon të arrijë një marrëveshje me administratën e presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump, sipas së cilës Meksika të mos pranojë në territorin e saj migrantë nga vende të treta në rast dëbimesh në shkallë të gjerë, tha të enjten presidentja meksikane Claudia Sheinbaum.

Zoti Trump është zotuar për deportime në masë të migrantëve që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara dhe Nënpresidenti i zgjedhur JD Vance ka premtuar dëbimin e 1 milion njerëzve në vit.

Ndërkohë, Meksika ka luajtur një rol kyç në politikën e imigracionit të Shteteve të Bashkuara në vitet e fundit, duke pranuar migrantë nga vende si Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela të dëbuar nga SHBA.

Marrëdhëniet e ndërlikuara diplomatike që kanë Shtetet e Bashkuara me disa prej këtyre vendeve e kishin bërë të vështirë deportimin e drejtpërdrejtë të imigrantëve që vinin prej tyre.

“Shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me administratën Trump në mënyrë që, në rast se ndodhin këto deportime (masive), ata t’i dërgojnë personat nga vendet e tjera drejtpërdrejt në vendet e tyre të origjinës”, tha Presidentja Sheinbaum në një konferencë shtypi.

Presidentja tha se Meksika është "në solidaritet me të gjithë, por qëllimi ynë kryesor është që të presim meksikanët"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat