Senati shqyrton të emëruarit e Presidentit të zgjedhur Trump

Amerika

Senati shqyrton të emëruarit e Presidentit të zgjedhur Trump

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 15:33
Donald Trump

Senatorët amerikanë në Kapitol së shpejti do të shqyrtojnë kandidatët e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për pozitat kyçe të administratës së ardhshme. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, procesi i konfirmimit kësaj radhe mund të duket më ndryshe pasi kualifikimet dhe e kaluara e disa kandidatëve mund të vënë në pozitë të vështirë një pjesë të senatorëve amerikanë që të votojnë në favor të tyre.

Periudha e tranzicionit, deri në inaugurimin e administratës së re, përfshin takime të të emëruarve të Presidentit të zgjedhur Donald Trump për pozicionet kyçe të kabinetit me senatorët amerikanë të cilët duhet t’i konfirmojnë ata.

“Përvoja tetë vjeçare si prokurore e përgjithshme e Floridës, jam i sigurt se ju ka përgatitur mirë për këtë punë”, i tha senatori republikan Chuck Grassley kandidates së zotit Trump për Prokurore të Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi.

Kandidati i zotit Trump për të drejtuar Departamentin e Shtetit, senatori republikan Marco Rubio, pritet të konfirmohet me lehtësi.

“Presidenti e përcakton politikën e jashtme, puna jonë në Departament të Shtetit është ta zbatojmë atë”, thotë zoti Rubio.

Por Pete Hegseth, kandidati për të drejtuar Pentagonin, nuk ka mbajtur kurrë poste udhëheqëse në ushtri. Ai së fundmi ka qënë moderator në rrjetim ‘Fox News’.

“Përparësia kryesore për ne janë ushtarët. Kjo është ajo që më kërkoi Donald Trumpi. Detyra e shefit të Pentagonit është të rikthejë etikën luftarake në Pentagon”, thotë zoti Hegseth.

Ai është një nga disa të emëruarit, të cilët më parë kanë bërë komente të debatueshme, që ua vështirëson disa senatorëve republikanë dhënien e votës për konfirmimin e tyre

“Presidenti Trump nuk mund t’i marrë të mirëqëna votat pro. Nëse nuk respektohen dhe nuk u jepet hapësira e duhur, disa senatorë republikanë mund t’ia komplikojnë procesin e konfirmimit”, thotë Shannon O’Brien nga Universiteti i Teksasit.

Udhëheqësi i ardhshëm i shumicës në Senat, republikani John Thune u zotua t’i zhvillojë seancat e konfirmimit pa vonesa.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i votuar me shpejtësi të emëruarit e tij, që të fillojnë nga detyra dhe të zbatojnë planet e presidentit”, tha senatori Thune.

Presidenti i zgjedhur Trump ka hedhur idenë e shmangies së procesit të konfirmimit në Senat për të emëruarit e tij, duke përdorur një manovër të diskutueshme, atë të zyrtarizimit të kandidaturave në kohën që Senati është me pushime.

“Presidenti mund ta detyrojë Kongresin të shkojë me pushime, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe gjatë kësaj kohe të vërë në poste të emëruarit e tij. Ai ka thënë se mund t’i bëjë emërimet në kohën kur Kongresi është pushim, por e vetmja mënyrë është që ai ta detyrojë Kongresin të jetë pushim. Gjithsesi kjo do të përfundonte nëpër gjykata”, thotë analistja O’Brien.

Senatorët republikanë tashmë janë shprehur kundër kësaj ideje.

“Kjo është një çështje tjetër. Padyshim që nuk jam dakord që të shmanget roli kushtetues i Senatit”, thotë Senatori republikan John Cornyn.

Presidentët amerikanë nga të dyja partitë kanë vënë në poste të emëruar të tyre gjatë kohës kur Kongresi ka qënë me pushime. Por, Gjykata e Lartë e kufizoi këtë të drejtë gjatë mandatit të Presidentit Barack Obama./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat