Presidenti i zgjedhur Trump mbështet publikisht të emëruarin për postin e Sekretarit të Mbrojtes, Pete Hegseth

Amerika

Presidenti i zgjedhur Trump mbështet publikisht të emëruarin për postin e Sekretarit të Mbrojtes, Pete Hegseth

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 19:10
Pete Hegseth, i emëruar si Sekretar i Mbrojtjes nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump

Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbështeti të premten publikisht të emëruarin e tij për postin e shefit të Pentagonit, Pete Hegseth, në një kohë kur miratimi i tij nga Senati është vënë në pikëpyetje, mes shqetësimeve lidhur me akuzat për sulm seksual, përdorimin e alkoolit dhe pikëpamjeve të tij për gratë ushtarake në frontin e luftës.

“Pete Hegseth po ia del shumë mirë”, shkroi zoit Trump në profilin e tij në rrjetin Truth Social. “Ai do të jetë një Sekretar Mbrojtjeje fantastik dhe me energji të lartë”. Presidenti i zgjedhur shtoi se “Pete është FITUES dhe nuk mund të bëhet asgjë për ta ndryshuar këtë”.

Zoti Hegseth kaloi një pjesë të madhe të kësaj jave me takime në Kapitol, duke u përpjekur të sigurojë sentatorë republikanët se ai i ka afësitë e duhura për të udhëhequr Pentagonin, gjatë administratës së Presidentit Trump.

Ai ka premtuar se nuk do të konsumojë alkool në rast se merr detyrën dhe u ka thënë ligjvënësve se nuk ka kryer sulm seksual, ndërsa pikëpamjet e tij profesionale mbi forcat ushtarake gra, po shihen me shumë vëmendje. Ai u shpreh gjatë muajit të shkuar se gratë nuk duhet të shërbejnë në vijën e frontit.

Presidenti i zgjedhur Trump ka hasur rezistencë për disa nga të emëruarit e tij. Dy të zgjedhur prej tij për poste në administratën e ardhshme u tërhoqën nga emërimi pasi u përballën me kundërshtime të forta: Matt Gaetz, ish anëtari i Kongresit, i emëruar si Prokuror i Përgjithshëm dhe Chad Chronister, sherif i qarkut Hillsborough në Florida, i emëruar si drejtor i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës (DEA).

Ekipi i tranzicionit i Presidentit të zgjedhur Trump po shqyrton kandidatura të tjera të mundshme në rast se emërimi i zotit Hegseth dështon, mes së cilëve guvernatori i Floridës, Ron De Santis, i cili kandidoi kundër zotit Trump në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat