Tregu i punës në Shtetet e Bashkuara u rimëkëmb në nëntor, duke shtuar 227,000 vende pune, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me muajin e mëparshëm, kur efektet e grevave dhe uraganeve ulën ndjeshëm numrin e të punësuarve.
Punësimi muajin e kaluar u rrit ndjeshëm krahasuar me muajin tetor, kur ekonomia krijoi vetëm 36,000 vende të reja pune.
Raporti i së premtes nga Departamenti i Punës tregoi gjithashtu se shkalla e papunësisë u rrit nga 4.1% në tetor në 4.2% në nëntor. Pagat me orë u rritën 0.4% nga tetori në nëntor dhe 4% krahasuar me një vit më parë.
Raporti i punësimit për muajin nëntor ofron provat më të fundit se tregu i punës në Shtetet e Bashkuara mbetet i qëndrueshëm pavarësisht ngadalësimit që përjetoi krahasuar me rritjen e madhe të punësimit në vitet 2021-2023, kur ekonomia po rimëkëmbej nga rënia e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Ngadalësimi gradual i tregut të punës është pjesërisht pasojë e normave të larta të interesit, që Rezerva Federale i rriti në kuadër të përpjekjeve për të zbutur inflacionin.
Në të gjitha industritë muajin e kaluar, kompanitë prodhuese shtuan 22,000 vende pune, duke reflektuar fundin e grevave nga punonjësit e kompanisë Boeing dhe atyre të kompanive të tjera. Kompanitë e kujdesit shëndetësor shtuan 54,000 vende pune, agjencitë qeveritare 33,000 dhe restorantet 29,000. Por dyqanet e shitjes me pakicë shkurtuan 28,000 vende pune në nëntor.
Ekonomia u rrit me një ritëm vjetor 2.8% nga korriku deri në shtator për shkak të nivelit të mirë të shpenzimeve nga konsumatorët, që janë motori i ekonomisë amerikane. Rritja vjetore ekonomike ka arritur nivelin e mirë prej 2% në tetë nga nëntë tremujorët e fundit. Inflacioni ka rënë nga 9.1% në qershor të vitit 2022 në nivelin 2.6% muajin e kaluar.