Një oficer i policisë ushtarake është arrestuar në Brazil pasi një video që tregon momentin kur ai hedh një civil nga një urë në Sao Paulo u publikua të hënën, duke shkaktuar protesta në qytet.
Videoja, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe në shtypin brazilian, tregonte oficerin duke kapur një civil për këmishë dhe duke e çuar drejt anës së urës. Momente më vonë, oficeri ngre burrin – i cili duket i paarmatosur dhe nuk reziston – dhe e shtyn atë nga ura.
CNN nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur videon.
Ministria publike e shtetit e cilësoi incidentin si “të tmerrshëm dhe absolutisht të papranueshëm” në një deklaratë të publikuar të martën.
“Nuk ka mënyrë tjetër për të klasifikuar imazhet e momentit kur një oficer i policisë ushtarake hedh një burrë nga maja e një ure”, tha ministria publike, duke shtuar se në video është “e qartë që i dyshuari tashmë ishte neutralizuar nga agjentët e sigurisë, të cilët kishin detyrën funksionale ta çonin atë të padëmtuar në stacionin e policisë për të regjistruar incidentin”.
Një urdhër arresti u lëshua për oficerin, Luan Felipe Alves, i cili u arrestua në orët e para të së enjtes, raportoi media shtetërore Agencia Brasil. Më vonë, ai u urdhërua të mbahej në paraburgim preventiv nga gjykata ushtarake e Sao Paulos ndërsa vazhdojnë hetimet për incidentin, shtoi agjencia.
Sipas CNN Brasil, Alves i tha gjykatës ushtarake se qëllimi i tij ishte të neutralizonte burrin për t’i shpëtuar një ndalese policore dhe ta hidhte në tokë, jo nga ura.
Burri besohet se ka mbijetuar nga rënia gjersa autoritetet janë aktualisht në kërkim të tij për ta marrë në pyetje.
Nuk është e qartë se me çfarë akuzash mund të përballet Alves, por ekipi i tij ligjor deklaroi se arrestimi “tregon një paragjykim për fajësinë.”
Policia ushtarake e shtetit ka larguar disa oficerë nga detyrat e tyre kryesore, duke përfshirë edhe Alves, ndërsa po hetohen incidenti dhe oficerët.
Incidenti ka prekur thellë qytetin, ku është rritur zemërimi publik ndaj dhunës policore, përfshirë një rast ku një polic jashtë detyrës vrau një burrë për gjoja vjedhje të një sapuni në një treg.