Donald Trump tha se nuk mund të garantojë që tarifat e premtuara të tij ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara nuk do të rrisin çmimet për konsumatorët amerikanë. Ai sugjeroi sërish se disa rivalë politikë dhe zyrtarë federalë që e kanë hetuar atë duhet të burgosen.
Presidenti i zgjedhur, në një intervistë për emisionin "Meet the Press" të kanalit NBC, që u transmetua të dielën, foli edhe për politikat monetare, emigracionin, abortin, kujdesin shëndetësor dhe përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Izrael dhe gjetkë.
Tarifat
Zoti Trump ka kërcënuar vendosjen e tarifave tregtare në shkallë të gjerë, por tha se nuk besonte se parashikimet e ekonomistëve se kostot e shtuara për ato mallra të importuara do të shkaktonin rritjen e çmimeve për konsumatorët amerikanë. Por ai nuk dha garanci për këtë.
“Nuk mund të garantoj asgjë. Nuk mund t’ju garantoj se çfarë mund të sjellë dita e nesërme”, tha zoti Trump, duke dhënë shenja se ai është i hapur ta pranojë realitietin se tarifat mund të shkaktojnë rritje të çmimeve të produkteve në tregun e shitjeve me pakicë.
Kjo është një qasje e ndryshme nga fjalimet tipike të zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti, kur ai fliste me siguri të lartë se do të ishte në gjendje të frenonte rritjen e inflacionit nëse zgjidhej president.
Në intervistën për kanalin NBC, zoti Trump mbrojti tarifat në përgjithësi, duke thënë se tarifat "do të na bëjnë të pasur".
Ai u zotua se në ditën e tij të parë në detyrë në janar, do të vendosë tarifa me nivel 25% për të gjitha mallrat e importuara nga Meksika dhe Kanadaja, nëse ato vende nuk frenojnë emigracionin e paligjshëm dhe hyrjen e drogave të paligjshme, si fentanili, në Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu ka kërcënuar me tarifa Kinën, nëse Pekini nuk përmbushë angazhimet e tij për të goditur rrjetet e paligjshme të prodhimit të fentanilit.
“Unë dua të krijojë një fushë të barabartë konkurrimi, të shpejtë, por të ndershme”, tha Trump.
Veprime hakmarrëse ndaj rivalëve politikë
Ai ofroi deklarata kontradiktore mbi mënyrën se si do t'i qaset sistemit të drejtësisë pas fillimit të mandatit, pavarësisht se u shpall fajtor për 34 krime nga një gjykatë e shtetit të Nju Jorkut, u përball me akuza për mbajtje të paligjshme të dokumenteve sekrete pas përfundimit të mandatit të tij në 2021 dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zjgedhjeve të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.
“Sinqerisht, ata duhet të shkojnë në burg”, tha zoti Trump për anëtarët e Kongresit që hetuan trazirat e Kapitolit nga mbështetësit e tij që dëshironin që ai të mbetej në pushtet.
Presidenti i zgjedhur theksoi pretendimin e tij se ai mund të përdorë sistemin e drejtësisë kundër të tjerëve, duke përfshirë prokurorin special Jack Smith, i cili udhëhoqi hetimin për rolin e zotit Trump në trazirat e 6 janarit 2021. Zoti Trump konfirmoi planin e tij për të falur mbështetësit që u dënuan për rolin e tyre në sulmin ndaj Kapitolit, duke thënë se ai do ta bënte këtë që në ditën e tij të parë në detyrë.
Veprime të shpejta për emigracionin
Donald Trump përmendi përmbushjen e premtimetve të tij për të mbyllur kufirin SHBA-Meksikë dhe për të debuar miliona njerëz që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara përmes një programi të dëbimeve masive.
"Unë mendoj se kjo duhet bërë", tha ai.
Ai sugjeroi se do të përpiqej të përdorte urdhëra ekzekutivë për t'i dhënë fund shtetësisë automatike për ata që lindin në territorin e Shteteve të Bashkuara, megjithëse ky ligj është i mborjtur me Kushtetutë.
I pyetur në mënyrë specifike për të ardhmen e njerëzve që u sollën ilegalisht në vend si fëmijë dhe që janë mbrojtur nga dëbimi në vitet e fundit, zoti Trump tha: "Unë dua të gjejë një zgjidhje për ata", duke sinjalizuar se ai mund ta bëjë këtë në bashkëpunim me Kongresin.