Pas vrasjes së shefit ekzekutiv të kompanisë “UnitedHealthcare” para një hoteli në Nju Jork, policia filloi një operacion të gjerë për kapjen e personit të maskuar dhe të armatosur, duke angazhuar qenë nuhatës, dronë dhe zhytës. Oficerët e policisë përdorën sistemin e sofistikuar të survejimit të qytetit të Nju Jorkut. Hetuesit analizuan mostrat e ADN-së, shenjat e gishtërinjve dhe adresat e internetit. Policia shkoi derë më derë në kërkim të dëshmitarëve.
Kur u bë një arrestim pesë ditë më vonë, ishin instinktet e një banori civil vigjilent që çuan në kapjen e të dyshuarit. Një klient i një restoranti “McDonald's” në Pensilvani vuri re se një klient i ngjante personit në fotot e publikuara nga policia e Nju Jorkut dhe njoftoi autoritetet.
Luigi Nicholas Mangione, një 26-vjeçar i diplomuar në një nga universitetet më të mira të vendit, që vjen nga një familje e pasur në Merilend, u arrestua të hënën nën akuzën e vrasjes së drejtuesit të kompanisë më të mëdha të sigurimeve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara, Brian Thompson.
Ai u burgos në Pensilvani, ku fillimisht u akuzua për armëmbajtje pa leje, falsifikim kartash identiteti dhe përdorje të një karte të falsifikuar identiteti kur u ndalua nga policia. Në orët e vona të natës, prokurorët në Manhatan shtuan akuzën për vrasje, sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë. Ai pritet të ekstradohet në Nju Jork.
Nuk është e qartë nëse Mangione ka marrë avokat që mund të komentojë mbi akuzat. I pyetur gjatë paraqitjes në gjykatë të hënën nëse ai kishte nevojë për një avokatë mbrojtës publik, Mangione pyeti nëse ai mund t'i përgjigjej kësaj pyetje në ditë tjetër.
Mangione u arrestua në Altoona të Pensilvanisë, pasi klienti i restorantit “McDonald's” njoftoi autoritetet. Policia në Altona, rreth 375 kilometra në perëndim të qytetit të Nju Jorkut, u njoftua me shpejtësi për praninë e tij në restorant.
Policia e gjeti atë të ulur në një tavolinë të restorantit, me një maskë mjekësore blu dhe një laptop, sipas dokumenteve të policisë së Pensilvanisë.
Ai fillimisht u dha atyre një letërnjoftim të falsifikuar, por kur një oficer e pyeti të dyshuarin Luigi Mangione nëse ai kishte qenë në Nju Jork kohët e fundit, ai "heshti dhe filloi të dridhej", thuhet në dokumentet e policisë.
Komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch tha në një konferencë për shtypin në Manhatan se Luigi Mangione kishte një armë të ngjashme me atë që u përdor për të vrarë zotin Thompson dhe të njëjtin letërnjoftim të falsifikuar që sulmuesi kishte përdorur për të qëndruar në një hotel në Nju Jork, së bashku me një pasaportë dhe karta të tjera identifikimi të falsifikuara.
Shefi i Detektivëve të Policisë së Nju Jorkut, Joseph Kenny tha se Luigi Mangione kishte gjithashtu një dokument me tre faqe, të shkruar me dorë, që tregon "disa pakënaqësi ndaj korporatave të Amerikës".
Një zyrtar i forcave të zbatimit të ligjit, i cili foli në kushte anonimiteti, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se dokumenti përfshinte një rresht në të cilin Mangione pretendonte se kishte vepruar vetëm.
Prokurori i Pensilvanisë, Peter Weeks, tha në gjykatë se të dyshuarit Luigi Mangione iu gjet një pasaportë dhe 10,000 dollarë para të gatshme nga të cilat 2,000 dollarë ishin në valuta të huaja.
Thompson, 50 vjeç, u qëllua jashtë një hoteli në Manhattan herët në mëngjes të mërkurën ndërsa po shkonte në një konferencë me investitorë të kompanisë “UnitedHealthcare”.
Fjalët "refuzo", "mbro" dhe "arkivo" ishin gdhendur në gëzhojat e plumbave të gjetur në vendngjarje, kanë raportuar disa media. Fjalët i referohen titullit të një libri kritik ndaj industrisë së sigurimeve shëndetësore, të botuar në vitin 2010.
I dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë dhe më pas, mori një nga biçikletat elektronike që ofrohen me qera për t’u larguar drejt parkut kryesor të Manhatanit. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar atë duke dalë nga parku dhe duke marrë një taksi për të shkuar në një stacion autobusi. Policia beson se ai më pas ishte larguar nga qyteti i Nju Jorkut me autobus.
Pas mbërritjes në Pensilvani, ai shkoi nga Filadelfia në Pitsburg, duke u përpjekur të shmangte kamerat e sigurisë, tha nënkoloneli i Policisë së Shtetit të Pensilvanisë, George Bivens.
Nipi i një filantropisti të pasur të pronave të paluajtshme, Mangione është kushëriri i një ligjvënësi aktual të shtetit të Merilendit. Mangione mbaroi me nota shembullore studimet në një shkollë të mesme elitare në Baltimore në vititn 2016. Ai vazhdoi studimet universitare për shkenca kompjuterike në Universitetin e Pensilvanisë dhe u diplomua në vitin 2020.
“Familja jonë është e tronditur dhe e rënduar nga arrestimi i Luigi-t”, tha familja Mangione përmes një deklarate të postuar në mediat sociale të hënën vonë nga kushëriri i tij, ligjvënësi i Merilendit, Nino Mangione.
Luigi Nicholas Mangione punoi për një kohë për faqen e internetit të blerjes së makinave “TrueCar” dhe u largua në vitin 2023, tha shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Jantoon Reigersman, përmes një mesazhi të dërguar me email.
Nga janari deri në qershor 2022, Mangione jetoi në qytetin Surfbreak të Havait.
Në Surfbreak, Mangione kishte dhimbje të forta në shpinë, nga të cilat kishte vuajtur që nga fëmijëria. Ai u largua nga qyteti Surfbreak për të bërë një operacion.
Luigi Mangione pritet të dërgohet në Nju Jork, ku do të përballet me akuzat për vrasjen e shefit ekzekutiv të kompanisë ‘UnitedHealthcare’, Brian Thompson.
“UnitedHealthcare” është firma më e madhe e sigurimeve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara./VOA