Presidenti i sapoizgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, vendosi që sërish ta provokojë kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, por kësaj radhe përmes një mesazhi në rrjetin social, TruthSocial.
Duke iu referuar idesë së fundit që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së, Trump e quajti Trudeau “guvernator të shtetit të mrekullueshëm të Kanadasë”.
“Ishte një nder i madh për mua të isha në një darkë me guvernatorin e shtetit të mrekullueshëm të Kanadasë, Justin Trudeau. Jam i emocionuar që do të ulem përsëri me guvernatorin për të diskutuar më tej mbi tarifat dhe shkëmbimin e mallrave. Rezultati i këtyre bisedimeve do të jetë spektakolar”, deklaroi 78-vjeçari.
Kujtojmë se Trumpi dhe Trudeau nuk patën marrëdhënie shumë të mira gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan. Trump e ka quajtur shpesh Trudeau “të çmendur” dhe “radikal të majtë”, ndërsa kryeministri kanadez disa herë ka pohuar se lideri i ardhshëm i SHBA-ve “është kërcënim për demokracinë”.
Gjatë darkës së tyre, që ndodhi para disa ditësh në vilën e Trumpit, Mar-a-Lago, presidenti i ri amerikan kërkoi hapur që Kanada të bëhej shtet amerikan ndërsa më parë kishte pasur të njëjtën ide për Meksikën.
“Ne u japim atyre 300 miliardë dollarë çdo vit, pse nuk do të bëheshin shtete federale?”, pyeti Trump, duke folur për bilancin e importit dhe eksportit që SHBA ka me Meksikën dhe Kanadanë.
Si zgjidhje për këtë situatë, Trump propozoi vendosjen e një takse prej 25 përqindësh për të gjitha produktet e importuara në SHBA nga këto dy shtete, e cila shkaktoi reagim të ashpër të liderëve të dyja vendeve.