I dyshuari për vrasjen në Nju Jork do të kundërshtojë ekstradimin

Amerika

I dyshuari për vrasjen në Nju Jork do të kundërshtojë ekstradimin

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 06:09
Luigi Mangione gjatë seancës në gjykatë

PENSILVANI - 26-vjeçari i akuzuar për vrasjen e drejtuesit të kompanisë së sigurimit shëndetësor UnitedHealth, Brian Thompson në Manhatan, synon të kundërshtojë ekstradimin e tij për në Nju Jork, për t'u përballur me akuzat për vrasje nga Pensilvania, ku u arrestua, i tha gjykatësit avokati i tij mbrojtës gjatë seancës të së martës.

Të dyshuarit Luigi Mangione, gjithashtu iu mohua lirimi me kusht për herë të dytë, një ditë pasi u arrestua në një restorant fast food pas kërkimeve pesë-ditore.

Ndërsa hynte në gjykatë i rrethuar nga oficerët e policisë, zoti Mangione bërtiti në drejtim të gazetarëve, duke thënë: "...krejtësisht të shkëputur nga realiteti dhe një fyerje për inteligjencën e popullit amerikan!". Nuk ishte e qartë se kujt po i referohej.

Refuzimi i zotit Mangione për t’u ekstraduar fillon automatikisht një proces formal që mund të zgjasë me javë, megjithëse ai nuk ka gjasa të ketë sukses në parandalimin e transferimit të tij, thonë ekspertët ligjorë.

Hetuesit po përpiqeshin të gjurmonin lëvizjet e të dyshuarit Mangione në Pensilvani gjatë ditëve të fundit, si dhe nëse i dyshuari u ndihmua nga një bashkëpunëtor, përpara ose pas të shtënave përpara një hoteli në qendër të Manhatanit.

Zoti Mangione u pikas në një restorant McDonald's të hënën nga një punonjës, i cili mendoi se dukej si personi i armatosur në imazhet e publikuara nga policia. Atij iu gjet një armë, veshje dhe identifikime të rreme, që u ngjasojnë atyre të përdorura nga autori i sulmit, tha policia.

Ai përballet me akuza për armë dhe falsifikim në Pensilvani dhe u procedua në Altoona të hënën. Një urdhër-arresti për zotin Mangione, i paraqitur të martën në gjykatën penale të Manhatanit, rendit një akuzë për vrasje të shkallës së dytë, tre akuza për armëmbajtje dhe një akuzë për posedim kriminal të një instrumenti të falsifikuar.

Ndërsa motivi i sulmit mbetet i paqartë, policia ka thënë se viktima Thompson, drejtues i një prej kompanive më të mëdha të siguracionit shëndetësor, ishte sulmuar qëllimisht.

I dyshuari Mangione, kur u arrestua, kishte me vete një manifest të tijin që ofronte njohuri për motivet e tij, sipas policisë. Gazeta “The New York Times” njoftoi se një raport i brendshëm i policisë së qytetit të Nju Jorkut, që analizonte dokumentin e shkruar me dorë, arriti në përfundimin se zoti Mangione e shihte vrasjen si një sfidë për korrupsionin e sektorit të kujdesit shëndetësor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat