SHBA, administrata e re përgatitet për dëbimet e emigrantëve me përkrahjen e ushtrisë

Amerika

SHBA, administrata e re përgatitet për dëbimet e emigrantëve me përkrahjen e ushtrisë

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Premtimi i Presidentit të zgjedhur Donald Trump se do të realizojë deportimin më masiv në historinë e Shteteve të Bashkuara ngre pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe zbatimin e këtij procesi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për imigracionin Aline Barros njofton se si ushtria amerikane mund të përfshihet në këto plane

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump tha se problemi më i rëndë i Amerikës është emigracioni i paligjshëm

“Do të kryejmë deportimin më të madh në histori. Nuk jam krenar ta them këtë, por është diçka e vështirë që duhet bërë”, shprehej në 10 maj të 2024 kandidati republikan Donald Trump.

Pasi fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit, zoti Trump shpërndau një postim në mediat sociale duke thënë se do të shpallte një emergjencë kombëtare dhe do të dislokonte trupa amerikane për të ndihmuar në kryerjen e deportimeve

Se si mund të përdoret ushtria amerikane për të realizuar premtimin për dëbime masive është e paqartë, thotë profesori i drejtësisë në Universitetin e Nju Jorkut, Joseph Nunn

“Në të vërtetë varet nga ajo se çfarë ka parasysh Presidenti lidhur me mënyrën se si ai do të përdorë ushtrinë, pra nëse do që ushtria të përfshihet drejtpërdrejt në zbatimin e ligjit, apo nëse ushtria do të japë një mbështetje indirekte në operacionin federal të deportimit”, shprehet ai.

Tom Homan, i cili pritet të jetë drejtuesi i ri kombëtar për çështjet e emigracionit ka në plan një qasje më agresive duke vënë në dukje operacionet e deportimit dhe përfshirjen më të madhe të ushtrisë.

"Do të ndërmarrim një operacion masiv deportimi dhe do të përpiqemi të gjejmë mbi 300,000 fëmijë që u liruan prej kësaj administrate", deklaroi zoti Homan.

Zoti Homan citon një raport të Departamentit të Sigurisë Kombëtare sipas së cilit mbi 32 mijë të mitur të pashoqëruar nuk u paraqitën në datat e caktuara në gjykatë, ndërsa më shumë se 290 mijë nuk morën njoftim. Ekspertët e emigracionit vërejnë se një gjë e tillë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata kanë humbur. Disa prej tyre, mund të gjenden ende në adresat e regjistruara.

Dëbimi masiv nuk është alternativa e vetme. Në vend të kësaj, Kongresi mund të gjejë një formë të re drejt statusit të përhershëm ligjor, duke lejuar shumë njerëz që tashmë jetojnë këtu të depozitojnë një aplikim, t’i nënshtrohen kontrollit të së shkuarës së tyre, të paguajnë një tarifë dhe të jenë me dokumentacion të rregullt”, shprehet Aaron Reichlin-Melnick nga Këshilli Amerikan për Emigracionin .

Komisioni i Ligjeve në Senatit diskutoi këtë javë sfidat e dëbimeve masive. Demokratët thanë se se një gjë e tillë mund të dëmtojë ekonominë.

“Eshtë fakt që sot gjenden miliona emigrantë pa dokumente në Shtetet e Bashkuara, që punojnë në industri kritike për të gjithë ekonominë tonë”, u shpreh senatori demokrat Alex Padilla.

Republikanët nënvizuan zbatimin e ligjit.

"Do të zbatojmë urdhrin e gjykatave për dëbim dhe nuk do të pranojmë paligjshmërinë dhe kriminalitetin si normalitetin e ri në Shtetet e Bashkuara", u shpreh senatori republikan John Cornyn.

Ligjet federale kufizojnë përfshirjen e ushtrisë në zbatimin e ligjit civil pa miratimin e Kongresit, por kompetencat jourgjente do ta lejonin presidentin të dislokonte forcat ushtarake për të ofruar mbështetje logjistike. Disa ekspertë thonë se ushtarëve u mungon trajnimi për zbatimin e ligjeve mbi emigracionin.

"Çdo pjesëtar i forcave të armatosura që dërgohet në një operacion të dëbimit masiv është një forcë ushtarake që nuk po bën punën e tij normale dhe nuk po përmbush rolin e tij për ruajten e sigurisë kombëtare", thotë profesori Nunn.

Shteti i Teksasit po i ofron administratës së ardhshme Trump më shumë se 550 hektarë tokë për të ndërtuar një objekt paraburgimi dhe përpunimi, për atë që komisioneri shtetëror i tokës thotë se do të jetë, "deportimi më i madh të kriminelëve të dhunshëm në historinë e kombit tonë"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat