Gjykata në Iran ka dënuar gazetarin iraniano-amerikan Reza Valizadeh me 10 vite burg, pasi u shpall fajtor për bashkëpunimin me një qeveri të huaj, njoftoi avokati i tij të shtunën.
Reza Valizadeh është ish-gazetar i shërbimit farsi të Zërit të Amerikës dhe ka punuar edhe për Radion Farda, në Radion Evropa e Lirë/Radio Liria. Të dyja këto entitete janë pjesë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM).
Mohammad Hossein Aghasi, avokati i zotit Valizadeh, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se Gjykata Revolucionare e Teheranit dha vendimin e shkallës së parë për klientin e tij, bazuar në akuzën për “bashkëpunim me qeverinë armiqësore të Shteteve të Bashkuara”.
Zoti Aghasi tha se vendimi mund të apelohet brenda 20 ditëve dhe se u ishte komunikuar një javë më parë. Ai shtoi se nuk kishte patur mundësinë të takohej me zotin Valizadeh që nga dhënia e vendimit.
Në muajin gusht, zoti Valizadeh pati postuar dy mesazhe ku sugjeronte se ishte rikthyer në Iran, megjithëse Radio Farda shikohet si armiqësore nga regjimi teokratik në Iran.
“Mbërrita në Teheran në 6 mars 2024. Përpara kësaj, kisha negociata të papërfunduara me departamentin e zbulimit (të Gardës Revolucionare)”, thuhej në mesazh. “Rrjedhimisht u riktheva në vendin tim pas 13 vitesh, pa ndonjë garanci sigurie, qoftë edhe të komunikuar gojarisht”.
Zoti Aghasi tha se kishte qëndruar i lirë gjatë gjashtë muajve të parë të mbërritjes dhe se ishte arrestuar më pas.
Më herët në nëntor, Kianoosh Sanjari, ish-gazetar i shërbimit farsi të Zërit të Amerikës, e vetëvra duke u hedhur nga një godinë në kryeqytetin iranian, në shenjë proteste ndaj udhëheqësit suprem të vendit dhe shtypjes së vazhdueshme ndaj opozitarëve në Republikën Islamike.
Autoritetet iraniane thanë se zoti Sanjari, 42 vjeç, pati kërkuar më herët lirimin e katër të burgosurve që mbaheshin në Iran dhe kërcënoi se do të vriste veten nëse ata nuk liroheshin.
Në vitin 2007, një ish-punonjëse e Radios Farda, Parnaz Azima, u rikthye shkurtimisht në Iran për të vizituar nënën e saj të sëmurë. Pasaporta e saj u konfiskua në aeroport. Autoritetet ia ndaluan largimin nga vendi dhe u thirr në mënyrë të përsëritur për t’u marrë në pyetje nga forcat e sigurisë. Përfundimisht, ajo u lirua me kusht dhe iu lejua largimi nga vendi tetë muaj më vonë.
Irani është përballur me trazira prej vitesh dhe tensione me Perëndimin. Protestat më të fundit në mbarë vendin pasuan vdekjen në vitin 2022 të Mahsa Aminit. Vendet e punës vazhdojnë të jenë të pakta dhe monedha e vendit, riali, vazhdon prej vitesh të humbasë së tepërmi vlerën përkundër dollarit amerikan, duke ua vështirësuar edhe më tej jetesën iranianëve.