LIVE: Valë e kaltër në SHBA, demokratët marrin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin – a i kushtoi lufta me Iranin Trumpit?

Amerika

LIVE: Valë e kaltër në SHBA, demokratët marrin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin – a i kushtoi lufta me Iranin Trumpit?

Nga: bota sot Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 02:50 Përditësuar në ora: 18:15 më 04.11.2026
Presidenti amerikan, Donald Trump.

“Arsyeja pse humbëm është lufta”, thotë JD Vance pasi demokratët fituan bindshëm në zgjedhjet e mesit të mandatit

Demokratët fitojnë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, duke marrë kontrollin e Kongresit për pjesën e mbetur të presidencës së Donald Trump.

"Arsyeja pse humbëm është lufta", thotë zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, shkruan BBC.

Trump pranon gjithashtu se lufta në Iran dhe rritja e kostos së jetesës ishin faktorë në humbjen e Partisë së tij Republikane - ndërsa Shtëpia e Bardhë poston në mediat sociale: "Trump është ende presidenti juaj".

Në garat për Senat, demokratët arritën një sërë fitoresh në bastione republikane, duke përfshirë Teksasin, Karolinën e Jugut dhe Kansasin.

Ende nuk i kemi dëgjuar rezultatet në Alaska dhe Misisipi - por mund të duhen javë para se të dimë rezultatin e garës për Senat në Alaskë.

Demokrati kryesor në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e quan fitoren e partisë së tij një "moment të kuq, të bardhë dhe blu". Disa vende në dhomën e ulët janë ende duke u numëruar - por demokratët kanë tejkaluar 218 vendet e nevojshme për të fituar.

Demokratët rrëzojnë guvernatorin e Teksasit

Nga: A.Sh

Përfaqësuesja demokrate në parlamentin e shtetit, Gina Hinojosa, ka mposhtur Greg Abbottin dhe do të bëhet guvernatorja e re e Teksasit, sipas projeksioneve të NBC News.

Ky rezultat i jashtëzakonshëm vazhdon valën e kundërshtimit ndaj Donald Trumpit dhe administratës së tij në të gjithë SHBA-në, ndërsa shtetet që dikur konsideroheshin bastione të sigurta republikane po u kthejnë shpinën presidentit amerikan.

Fitorja e parashikuar e Hinojosës do ta bëjë atë guvernatoren e parë hispanike në historinë e shtetit të Teksasit. Kjo fitore vjen pasi Abbott shpenzoi dhjetëra miliona dollarë më shumë se ajo gjatë fushatës zgjedhore.

Nëse do të fitonte, Abbott do të bëhej guvernatori me mandatin më të gjatë në historinë e shtetit.

Fitorja e parashikuar e demokratëve pasqyron një natë të vështirë për Trumpin dhe tregon se sa shumë është dobësuar pushteti dhe kontrolli i republikanëve.

Si mund të ndikojë fitorja e demokratëve në politikat e Trumpit ndaj Rusisë, Ukrainës dhe Iranit?

Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara pritet ta ndryshojë balancën e pushtetit në Kongres, duke i dhënë kësaj partie më shumë kompetenca mbikëqyrëse dhe ndikim në procesin legjislativ. Kjo mund të ketë ndikim edhe në politikat e SHBA-së ndaj Rusisë, Ukrainës dhe Iranit.

Triumfi i demokratëve në zgjedhjet e mbajtura më 3 nëntor pritet t'ua mundësojë atyre marrjen e kontrollit mbi të dyja dhomat e Kongresit, Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, nga republikanët e presidentit Donald Trump, sipas projeksioneve të disa mediave të mëdha amerikane.

Rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit përbën ndryshim të rëndësishëm të balancës së pushtetit në Kongres, duke u dhënë demokratëve më shumë ndikim në vendimet për shpenzimet federale, mbikëqyrjen e administratës dhe konfirmimin e emërimeve presidenciale.

Trump tha se është i gatshëm t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe të bashkëpunojë me demokratët, sipas gazetës The New York Times.

"Do të punojmë me demokratët dhe, e dini, mezi presim të bashkëpunojmë me ta. Do t’ia bëjmë disi", citohet të ketë thënë Trump.

Trumpi vazhdon të ketë kompetenca të gjera në fushën e diplomacisë dhe të operacioneve ushtarake, ndërsa kundërshtimi i republikanëve dhe e drejta e tij për veto mund t'i pengojnë demokratët që fitoret në Kongres t'i përkthejnë në ndryshime konkrete ligjore.

Zgjedhjet u mbajtën në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë ende në luftë me Iranin, dhe Rusia po e vazhdon pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, ndërsa qasja e Uashingtonit ndaj Moskës mbetet burim mospajtimesh mes dy partive kryesore amerikane.

Sfida e parë për Kongresin, sa i përket politikës së jashtme, mund të jetë lufta me Iranin.

Demokratët zhvilluan fushatë me zotimin për t'i dhënë fund konfliktit, i cili ka kontribuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe pasigurinë ekonomike. Kontrolli i të dyja dhomave të Kongresit do t'ua rrisë mundësitë për ta mbikëqyrur administratën, për t’i kundërshtuar shpenzimet ushtarake dhe për të kërkuar kufizime në operacionet ushtarake.

Dania Arayssi, drejtuese e programeve dhe analiste e lartë në Institutin Linjat e Reja për Strategji dhe Politika, e cila rregullisht informon vendimmarrësit në Kongres dhe në degën ekzekutive, i tha Radios Evropa e Lirë se rezultatet e zgjedhjeve mund ta shtyjnë Trumpin drejt tërheqjes nga lufta përmes rrugëve diplomatike.

"Rezultatet e zgjedhjeve, veçanërisht fitorja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, do ta shtyjnë patjetër administratën Trump të kërkojë një strategji për t'i dhënë fund luftës, veçanërisht përmes mjeteve diplomatike dhe negociatave", tha ajo.

Arayssi tha se demokratët mund t’i bllokojnë fonde shtesë për konfliktin dhe të nisin hetime për vendimet e administratës, pasi Kongresi i ri ta nisë punën në janar.

Ajo argumentoi se edhe Teherani mund të kërkojë kushte më të leverdishme në bisedime, duke llogaritur se mundësia politike e Trumpit për ta vazhduar fushatën ushtarake është dobësuar.

"Kjo do të thotë gjithashtu se iranianët nuk do të jenë nën trysni për të ofruar kompromise të tjera", tha ajo.

Megjithatë, shumë analistë paralajmërojnë se, pavarësisht fitores së thellë të demokratëve, ndikimi i saj nuk është aspak i paracaktuar.

Trump mbetet komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe vazhdon të ketë kompetenca të mëdha mbi operacionet ushtarake dhe diplomacinë. Shumica e republikanëve e kanë mbrojtur fushatën kundër Iranit si të domosdoshme për t'iu kundërvënë kërcënimeve bërthamore dhe rajonale të Iranit, dhe pritet t'u rezistojnë përpjekjeve të demokratëve për ta kufizuar financimin e saj.

Megjithatë, pasojat ekonomike të konfliktit janë shndërruar në barrë politike për administratën. Rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës, pjesërisht e lidhur me ndërprerjet e qarkullimit në zonën përreth Ngushticës së Hormuzit, i ndihmoi demokratët që përballueshmërinë e kostos së jetesës ta vendosnin në qendër të fushatës së tyre.

Kongresi i ri mund ta shtojë gjithashtu mbikëqyrjen ndaj Pentagonit dhe sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndërsa negociatat për financimin mund të sjellin përplasje të tjera me Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, për Kievin, i cili prej më shumë se katër vjetësh është mbështetur në ndihmën amerikane për t'i zmbrapsur forcat pushtuese ruse, rezultatet sjellin pasiguri dhe shpresë njëkohësisht.

Disa nga mbështetësit më të njohur të Ukrainës në Kongres po largohen nga detyra. Në mesin e tyre është edhe kongresisti republikan Don Bacon, një kritik i zëshëm i Rusisë, i cili shpesh ka dalë kundër qëndrimeve të partisë së tij dhe të Shtëpisë së Bardhë lidhur me mbështetjen për Kievin.

"Jam republikan i shkollës së vjetër të Ronald Reaganit dhe e shoh pushtimin rus të Ukrainës si krizën më të rëndësishme me të cilën përballet bota e lirë", i tha Bacon Radios Evropa e Lirë më 3 nëntor.

"Shpresoj që në Kongresin e 120-të të zgjidhen më shumë përfaqësues që do ta mbështesin fuqishëm mikun dhe aleatin tonë", shtoi ai.

Megjithatë, në mesin e ligjvënësve republikanë që po largohen janë edhe ish-lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, senatorët Thom Tillis, Bill Cassidy dhe John Cornyn, si dhe kongresisti Michael McCaul. Largimi i tyre nënkupton humbjen e disa zërave me ndikim që kanë mbështetur një qasje më të ashpër ndaj Moskës.

Pavarësisht kësaj, organizatat ukrainaso-amerikane thonë se besojnë që mbështetja për Kievin do të vazhdojë të jetë dypartiake.

"Edhe pse në këtë cikël zgjedhor po humbim disa mbështetës të jashtëzakonshëm të Ukrainës, jemi të vetëdijshëm për ata që do të mbeten dhe kemi arsye të besojmë se Ukraina do të vazhdojë të ketë mbështetje të konsiderueshme nga të dyja partitë", i tha Radios Evropa e Lirë Michael Sawkiw, president i Komitetit të Kongresit Ukrainas të Amerikës.

Sawkiw përmendi si prioritete mbikëqyrjen nga Kongresi të vendimit të fundit të administratës për të pezulluar përkohësisht disa sanksione ndaj Rusisë dhe marrëveshjes së saj për naftë dizel, rritjen e ndihmës për sigurinë e Ukrainës, si dhe zgjatjen e statusit të mbrojtjes së përkohshme për refugjatët ukrainas.

"Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë lider botëror për ata që shtypen ose u përballen me agresion të huaj. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me zyrtarët e rizgjedhur, si dhe me ata që sapo janë zgjedhur, për t’i çuar përpara çështjet që kanë rëndësi për ne", tha ai.

Dy këshilltarë të lartë republikanë për politikën e jashtme në Senat i thanë gjithashtu Radios Evropa e Lirë se zgjedhjet mund ta shtojnë trysninë ndaj Kongresit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ata iu referuan projektligjit për sanksione, të cilit së fundmi i është dhënë shtysë dhe që lidhet me senatorin Lindsey Graham. Motra e tij humbi në zgjedhje, pasi ishte emëruar në këtë post në korrik, pas vdekjes së papritur të vëllait të saj.

Prandaj, kontrolli i Kongresit nga demokratët mund t'i vështirësojë përpjekjet e Trumpit për të krijuar marrëdhënie më të mira me Moskën, veçanërisht nëse administrata e tij kërkon lehtësimin e më shumë sanksioneve.

Megjithatë, ligjvënësit përballen me kufizime. E drejta e Trumpit për veto dhe kundërshtimi i republikanëve mund t'i pengojnë përpjekjet për vendosjen e kufizimeve të reja ose për ta detyruar administratën ta rrisë ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Kontrolli i Senatit nga demokratët do t'i japë kësaj partie gjithashtu më shumë ndikim mbi kalendarin legjislativ, hetimet e komiteteve dhe konfirmimin e emërimeve në administratë dhe në sistemin gjyqësor.

Senatori demokrat Chuck Schumer pritet të rikthehet në vitin 2027 në postin e liderit të shumicës në Senat.

Abdul El-Sayed fiton në Michigan, bëhet senatori i parë mysliman në SHBA

Nga: A.Sh

Kandidati demokrat Abdul El-Sayed ka fituar garën për Senatin në Michigan, sipas projeksioneve të NBC News.

Fitorja e demokratëve në Michigan i shtohet humbjeve të republikanëve në garat për Senat në Iowa, Kansas, Ohio, Maine, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Teksas, përcjell Bota sot.

Demokrati progresist u përball me një sërë pengesash në përpjekjen e tij për t'u bërë senatori i parë mysliman i Amerikës.

Mes tyre ishte edhe mbështetja që demokratja e moderuar Haley Stevens, të cilën ai e mundi në zgjedhjet paraprake, i dha rivalit të tij Mike Rogers, të mbështetur nga Trump, në prag të votimit.

Fitorja e El-Sayed përbën një kundërshtim të qartë ndaj presidentit amerikan, i cili e kishte sulmuar vazhdimisht, duke e quajtur atë me termin "xhihad" dhe duke përdorur gjuhë islamofobike ndaj tij.

Në fjalimin e tij, ku falënderoi mbështetësit, El-Sayed iu referua kësaj retorike, duke thënë se ishte përballur me “një nga fushatat më të shëmtuara që kam parë gjatë jetës sime”.

Fitorja e tij përbën një tjetër goditje politike për Trumpin.

Rivali i tij, Mike Rogers, u kërkoi mbështetësve të largohej nga tubimi pak para orës 06:00 sipas kohës britanike, por këmbënguli se ende kishte një mundësi për fitore.

Elon Musk reagon pas humbjes së thellë të republikanëve

Nga: A.Sh

Ndonëse Elon Musk është tërhequr nga një rol publik në administratën e Donald Trumpit, ai ka vazhduar të jetë donatori më i madh i saj në prapaskenë, percjell Bota sot.

Miliarderi ka dhuruar më shumë se 480 milionë dollarë për kandidatët republikanë në këto zgjedhje dhe tashmë ka reaguar pas humbjes së tyre të thellë.

Në postimin e tij të parë, Musk shkroi: “Qendrat e të dhënave në hapësirë po duken gjithnjë e më tërheqëse tani”.

Kjo deklaratë lidhet me gara si ajo në Teksas, ku ndërtimi i qendrave të të dhënave ishte një çështje e debatueshme për votuesit, të cilët në fund mbështetën demokratët.

Një minutë më vonë, ai shtoi me ironi: “Me sa duket, lazerët e mi hapësinorë për të ndërhyrë në zgjedhje nuk funksionuan këtë herë”.

Në këto zgjedhje afatmesme, të dyja palët shpenzuan gjithsej miliarda dollarë për fushatat elektorale.

Fitorja e Demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit, ish-presidenti Obama: Amerikanët duan politika që bashkojnë

Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar për herë të parë pas rezultateve të zgjedhjeve te mesmandatit në SHBA, duke vlerësuar fitoren e demokratëve dhe duke theksuar se qytetarët amerikanë kërkojnë një politikë që bashkon njerëzit, në vend që t’i përçajë.

Përmes një postimi në platformën X, Obama u shpreh se rezultati i zgjedhjeve përcjell një mesazh të qartë për drejtimin që duan amerikanët.

“Sonte, populli amerikan dërgoi një mesazh të qartë: ata duan një politikë që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan, si dhe liderë që ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen”, shkroi Obama.

Ish-presidenti vlerësoi gjithashtu kandidatët demokratë, të cilët sipas tij arritën të fitojnë mbështetje në zona të ndryshme të vendit, përfshirë edhe bastione që më parë konsideroheshin të vështira për t’u fituar.

Ai theksoi se kandidatët vinin nga prejardhje dhe këndvështrime të ndryshme politike, por i bashkonin vlerat e përbashkëta, përkushtimi ndaj shërbimit publik dhe angazhimi për të vendosur në plan të parë interesat e qytetarëve.

Trump drejt një tjetër goditjeje në Miçigan, kandidati republikan u kërkon mbështetësve të largohen!

Nga: A.Sh

Kandidati republikan për Senat në Miçigan, Mike Rogers, u ka kërkuar mbështetësve të tij të largohen dhe të kthehen në shtëpi, ndërsa rezultati i garës së rëndësishme zgjedhore mbetet ende i paqartë, përcjell Bota sot.

Duke folur para mbështetësve të tij, pak para orës 06:00 sipas kohës britanike, Rogers deklaroi:

“Do t'ju kërkojmë të gjithëve të shkoni në shtëpi. Do të jetë një natë e gjatë, por dua t'ju them diçka: ne ende kemi një mundësi për ta fituar këtë garë”.

Rrjeti NBC News, partneri amerikan i medias sonë, raporton se gara për Senat në Miçigan anon drejt kandidatit demokrat Abdul El-Sayed.

Megjithatë, Rogers, i cili kishte marrë mbështetjen e Donald Trumpit, u përpoq të shfaqej optimist, duke këmbëngulur se “rezultati po vjen në favorin tonë”.

Rogers mori gjithashtu një mbështetje të papritur nga kongresmenia demokrate Haley Stevens, në prag të votimit. Duke shkaktuar habi brenda partisë së saj, Stevens deklaroi se do të votonte për Rogersin dhe jo për El-Sayed.

Nëse Miçigani kalon në favor të demokratëve, kjo do t'i shtohej serisë së humbjeve të republikanëve në Ajova, Kansas, Ohajo, Maine, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Teksas, duke e bërë edhe më të vështirë natën zgjedhore për Donald Trumpin.

Mbyllen qendrat e fundit të votimit në Alaskë, në vëmendje gara e fortë për Senat

Nga: A.Sh

Alaska është shteti i fundit amerikan që ka mbyllur qendrat e votimit, duke shënuar përfundimin e procesit të votimit në zgjedhjet afatmesme të këtij viti, përcjell Bota sot.

Në vëmendje mbetet një nga garat më të ndjekura dhe më të pazakonta për Senatin amerikan.

Senatori aktual republikan Dan Sullivan po përballet me kandidaten demokrate Mary Peltola në përpjekje për të ruajtur mandatin e tij.

Gara ka tërhequr vëmendje të veçantë edhe për shkak të një kandidati tjetër, të pavarurin Daniel J. Sullivan Jr., i cili ka një emër pothuajse identik me senatorin republikan në detyrë. Kjo ka ngritur shqetësime për mundësinë e konfuzionit mes votuesve.

Donald Trump ka kërcënuar më herët se do të kundërshtojë rezultatet në rast se Peltola fiton, duke përsëritur shqetësimet e ngritura edhe nga figura të tjera të partisë së tij se prania e dy kandidatëve me emra pothuajse të njëjtë mund t'i ngatërrojë votuesit.

“Fuqia u përket njerëzve”: Demokrati sulmon donacionet e Musk pas fitores së papritur në Teksas

Nga: A.Sh

Në Teksas, James Talarico po mban një fjalim pasi është shpallur fitues i parashikuar i garës, duke u bërë demokrati i parë që pritet të fitojë një vend në Senatin amerikan nga ky shtet që nga viti 1988, përcjell Bota sot.

Ai tha se votuesit u kanë dërguar një mesazh “çdo donatori miliarder, çdo donatori trilioner: pushteti u përket njerëzve”.

Kjo deklaratë ishte një referencë ndaj Elon Musk, i cili ka investuar më shumë se 483 milionë dollarë në mbështetje të kandidatëve republikanë, përfshirë mbështetjen e madhe financiare për kundërshtarin e Talaricos, Ken Paxton, i cili kishte marrë edhe mbështetjen personale të Donald Trumpit.

“Ne u përballëm me gati 40 vite dyshimesh dhe zhgënjimi, u përballëm me më shumë se 300 milionë dollarë, më shumë se në çdo fushatë për Senatin në historinë amerikane”, deklaroi ai.

“U përballëm me të gjitha reklamat negative, fushatat e shpifjeve, profilet e rreme të huaja në internet dhe videot e manipuluara me inteligjencë artificiale, të cilat mund të blihen me para.

Këto sulme ishin ulërimat e fundit të një establishmenti që po vdes, kambanat e fundit të një status quo-je që e di se ditët e saj janë të numëruara”, përfundoi Talarico.

CNN: Demokratët marrin kontrollin e Senatit amerikan, fitojnë 7 ulëse nga republikanët

Demokratët kanë siguruar kontrollin e Senatit amerikan pas zgjedhjeve të ndërmjetme të 3 nëntorit, sipas projeksioneve të CNN-it.

Bazuar në rezultatet e publikuara nga televizioni amerikan, demokratët kanë siguruar 53 ulëse në Senat, ndërsa republikanët 41. Gjashtë ulëse të tjera nuk ishin përcaktuar ende në momentin e publikimit të këtyre të dhënave.

CNN raporton se demokratët kanë fituar 7 ulëse që më parë mbaheshin nga republikanët, duke ndryshuar raportin e forcave në dhomën e lartë të Kongresit amerikan.

Sipas projeksioneve të CNN-it, demokratët do të kenë kontrollin e Senatit, i cili përbëhet nga 100 anëtarë.

Në mesin e shteteve ku demokratët kanë shënuar fitore duke marrë ulëse nga republikanët janë Teksasi, Kansasi, Iowa, Ohajo, Karolina e Veriut, Karolina e Jugut dhe Maine.

Në garat kryesore për Senatin, CNN ka identifikuar 14 përballje vendimtare për përcaktimin e shumicës. Sipas të dhënave të paraqitura, republikanët parashikoheshin të fitonin 1 prej tyre, demokratët 10, ndërsa në garat e tjera rezultati mbetej i hapur ose me epërsi të ngushtë.

Ndërkohë, në Dhomën e Përfaqësuesve, të dhënat e CNN-it të paraqitura në grafikun e rezultateve tregojnë se demokratët kanë siguruar 206 ulëse, kundrejt 123 të republikanëve.

Demokratët kanë marrë 22 ulëse që më parë kontrolloheshin nga republikanët, ndërsa gara për vendet e mbetura vazhdonte në momentin e publikimit të rezultateve.

Zgjedhjet e ndërmjetme përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm për presidentin Donald Trump, pasi ndryshimi i shumicës në Senat do të ndikojë në raportet ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit gjatë 2 viteve të mbetura të mandatit të tij.

Kontrolli i Senatit u jep demokratëve mundësinë të ndikojnë në konfirmimin e emërimeve presidenciale, të zhvillojnë hetime parlamentare dhe të ushtrojnë mbikëqyrje ndaj administratës.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, amerikanët votuan për të gjitha 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve, rreth 1/3 e Senatit dhe një numër postesh të guvernatorëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat