Kryeministri Kurti takoi përfaqësues nga shoqata dhe organizata shqiptare në Nju Jork

Amerika

Kryeministri Kurti takoi përfaqësues nga shoqata dhe organizata shqiptare në Nju Jork

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 29 shtator 2024 Në ora: 16:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Ambasador Blerim Reka, takoi mbrëmë përfaqësues nga shoqata dhe organizata shqiptare që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Takimi në Bronx, u mbajt me ftesë të aktivistit të njohur shqiptar dhe kreut të Këshillit Kombëtar të Diasporës, Mark Gjonaj, i cili dhe e drejtojë këtë bashkëbisedim me komunitetin shqiptar.

Gjatë bashkëbisedimit me mërgatën, kryeministri Kurti i njoftoi nga afër për të arriturat dhe sukseset e Kosovës, duke theksuar rritjen ekonomike, demokratike e shoqërore. Ai shtoi se vendi ynë me një qeverisje progresiste, ka ngritur platforma që kanë siguruar më shumë vende të reja pune, edhe përmes iniciativave të qeverisë si platforma Superpuna.

Ai përmendi edhe mbështetjen për gratë dhe vajzat, për punësimin dhe rritjen e bizneseve të tyre, duke shtuar rëndësinë e fuqizimit të grave brenda shoqërisë.

Më tej, kryeministri foli edhe për të arriturat në eksportet dhe investimet, ndërsa potencoi se është rritur buxheti i shtetit dhe është investuar në fushat e sektorët kyç si mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi, bujqësi e teknologji. 

Theksoi gjithashtu dhe sundimin e ligjit e luftimin e krimit dhe korrupsionit. Shtoi se bazuar edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare, dëshmohet se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e demokratik të shtetit.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin dhe rolin e mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri ritheksoi vullnetin dhe gatishmërinë për të punuar krah për krah mërgatës, për progresin dhe zhvillimin tutje të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat