Ditë historike Pavarësie në SBH (South Brooklyn Health)

Amerika

Ditë historike Pavarësie në SBH (South Brooklyn Health)

Nga: Marjana Bulku Më: 22 nëntor 2024 Në ora: 20:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Për herë të parë shqiptaro-amerikanët e South Brooklyn Health festuan Ditën e Flamurit mes kolegëve të tyre amerikanë në mjediset e Kane Auditoriumit dhe sallës së konferencave në një mënyrë mjaft mbresëlënëse. 

Ky organizim dinjitoz u iniçua, dizenjua dhe realizua nga Zonja Etleva Prenga e cila prej disa vitesh drejton një departament të rëndësishëm në këtë korpus spitalor që ofron shërbime shëndetsore në Nju Jork.  Kjo veprimtari mbart vlera shumëdimensionale dhe do të mbetet si historike në kujtesën e këtij institucioni nga ku shqiptarët shpalosën aspekte të historisë, kulturës, artit dhe kulinarisë.

Veprimtaria u hap nga drejtuesja e Burimeve Njerëzore Raisa Semorile e cila mes falenderimesh dhe vlerësimesh ia pasoi fjalën zonjës Etleva Prenga që në fjalën e saj falenderoi kolegët dhe bashkëpunëtorët që kontribuan dhe ndihmuan në pregatitjet për realizimin e këtyre festimeve.  Ajo ftoi në podium artistët të cilët i ishin përgjigjur me një PO të menjëhershme ftesës së saj për të qenë pjesë e këtyre festimeve.

Dy hymnet, ai amerikan dhe shqiptar u interpretuan mjeshtërisht nga sopranoja Deshira Ahmeti Kërliu dhe Gezim Nika.

Më pas, veprimtaria vijoi me grupin e valleve “Albanian Roots“ me drejtuese Angjelina Nika.  Prezenca e fëmijëve në skenë, kostumet e larmishme popullore nga të gjitha trevat shqiptare i dhanë ngjyra të mrekullueshme sallës. Tingujt, ritmet, alegria mbizotëruan auditoriumin madje shumë prej të pranishmëve iu bashkuan valleve të larmishme shqiptare.  

Programi artistik ishte padyshim pjesa e dukshme që tërhoqi vëmendjen e personelit spitalor që iu bashkuan festimeve të Pavarësisë shqiptare. por përtej programit artistik,në mure, në kënde, dritare, arredoheshin plot shije e estetikë një volum jo i vogël përpjekjesh intelektuale të detajuara mbi fakte, personalitete, histori e gjeografi me në qendër atdheun tonë ; Shqipërinë.  Bukleti informativ i vënë në dispozicion të pranishmëve sillte në mënyrë konçize burimet e ligjshme të krenarisë shqiptare.  

Kjo veprimtari shpalosi kualitete të jashtzakonshme të organizatores Etleva Prenga, një perfeksioniste deri në detaje e cila solli në vetëm një orë show; traditën, informacionin, muzikën e bukur, veshjet tradicionale, artistët dinjitozë, shijet estetike, dekorimet e larmishme ku ndërthureshin elemente të kulturës dhe historisë tonë e nga ku çdokush kishte se çfarë të mësonte.  

Për herë të parë shqiptarët e këtij institucioni amerikan zbuluan shkaqet e krenarisë së tyre që në një festim të tillë i bëri edhe më fort krenarë. Ata u përbashkuan si rrallë herë mes njëri -tjetrit, pranë himnit, simboleve, flamujve që zbukuronin e skuqnin South Brooklyn Health për herë të parë e pa asnjë dyshim për ta vijuar e shndërruar në traditë këtë ditë të rëndësishme të historisë tonë.  

Albanian Culture TV me zotin Adem Belliu do të ishte prezent dhe do ta ndiqte me kamera këtë demostrim festiv, patriotik, kulturor, edukativ dhe thellësisht estetik plot me vlera edhe për punonjësit e ardhshëm të South Brooklyn Health, siç i cilësoi Drejtoresha e Burimeve Njerezore, fëmijët e pranishëm në këtë event. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat