Tuz e Malësi: "Prite, prite Skënderbeun!"

Amerika

Tuz e Malësi: "Prite, prite Skënderbeun!"

Nga: Gjekë Gjonlekaj/New York Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 23:21
Autori Gjekë Gjonlekaj/New York

Në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, festës më të dashur dhe më të shenjtë të kombit shqiptar, në Tuz të Malësisë do të vendoset përmendorja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot - Skënderbeu. Ky është dhe do të mbetet një hap gjigant që do të nderohet përjetësisht nëpër shekuj. Është vepra më e madhe historike dhe kulturore që shqiptarët e kësaj republike realizuan që kur iu shkëputën kombit nënë, para një shekulli e gjysmë. Qysh atëherë e deri sot, nuk kanë pushuar kurrë sulmet kundër trimit tonë të madh, i cili për shekuj të tërë është nderuar si njëri prej trimave më shquar të Evropës dhe më gjerë. Njëra prej pesë motrave të tij ka qenë e martuar në familjen e principatës së Cërnojeviqëve të Malit të Zi dhe, për arsye të lidhjeve familjare, nuk përjashtohet mundësia që heroi ynë kombëtar të ketë kaluar udhët e asaj kohe, qofshin ato nëpër tokë apo det.

Skënderbeu disa nga vizitat e tij në vendet e Mesdheut i ka filluar në Raguzë (Dubrovnik). Dy pasardhës të Skënderbeut që kanë lidhje farefisnore me heron tonë tregojnë shumë të dhëna për lidhjet e tij familjare. Para dy dekadash ata kishin vizituar Shqipërinë dhe Malin e Zi, duke treguar interesim dhe kurajo për të mësuar më shumë për stërgjyshin e tyre të kahershëm, por jo të harruar kurrë. Ata kishin vizituar kullat e Vraninës dhe disa objekte historike përreth. Gjergj Kastrioti duhet të ketë pasur lidhje me Shkodrën dhe Malësinë e Madhe, sepse kur viziton Muzeun Historik të Krujës, aty shihen shumë artifakte nga trojet tona, si për shembull xhubleta, xhamadani dhe disa orendi të tjera.

Për heroizmin e tij kisha mësuar qysh në fëmijërinë e hershme, pasi portreti i tij kryesor ishte gjithmonë në dhomën e pritjes së Kolë Prelokës Gegaj, vëllait të Lucë Prelokës Gegaj, i cili për pothuajse një shekull njihet me emrin Athanas Gegaj. Sot e kësaj dite, Athanas Gegaj nderohet si njëri prej historianëve më të mirë të kombit shqiptar. Ai e kishte mbrojtur disertacionin e tij të doktoratës në Universitetin Luen të Belgjikës dhe një vit më vonë ky disertacion u botua në Paris. Ky kishte qenë njëri prej nipave tanë të dashur. Imigrimi im në Shtetet e Bashkuara në vitin 1970 u prita mirë, duke më kushtuar një shënim të shkurtër në gazetën "Dielli". Menjëherë fillova bashkëpunimin dhe korrespondencën me të, duke më këshilluar për jetën në këtë vend. Edhe pas botimit të disertacionit të doktoratës: "Invazioni turk në Shqipëri në shekullin XV", zoti Gegaj u mor seriozisht me të kaluarën e tij, duke bërë studime në shumë vise të Italisë, veçanërisht në Rotondo, ku kishte jetuar familja e Skënderbeut.

Por ngjarja më e bukur dhe më madhështore që kam parë në jetë ka qenë festimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar të vitit 1968 në Prishtinë. Në këtë simpozium tri ditor, kishin marrë pjesë historianë të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të botës, bile edhe nga Shtetet e Bashkuara. Delegacionin e Shqipërisë e drejtonte Profesor Dr. Aleks Buda. Ata kishin sjellë me vete filmin "Skënderbeu" dhe disa vepra historike dhe letrare për heroi tonë kombëtar. E gjithë kjo veprimtari solli një frymë të re patriotizmi në Kosovë. Shumica e frymzimimeve çlirimtare të Kosovës e kishin zanafillën te historia e këtij trimi legjendar. Gjatë qëndrimit tim tranzit në Itali për në Shtetet e Bashkuara, disa herë e kam vizituar në Romë Sheshin "Albania" dhe monumentin Skënderbeu. Ky shesh dhe monument ishin pikë bashkimi për shqiptarët e Romës dhe të Italisë. Para një gjysmë shekulli, një shqiptaro-amerikan kishte bërë thirrje me shkrim për ndërtimin e një përmendoreje të Skënderbeut në Amerikë. Unë e mbështeta shumë këtë ide, duke botuar një shkrim në gazetën "Dielli". Bile e kujtoj si hapin tim të parë drejt kësaj veprimtarie. E fillova karrierën time me këtë burrë legjendar dhe sot, pas një gjysmë shekulli, për së ri do të kujtoj këtë burrë titanik.

Vendimi i Malësisë së Tuzit për të vendosur heroi tonë kombëtar në kryeqytetin e tyre, Tuz, është një vepër historike, artistike dhe kulturore. Është vendim për liri, për bashkim dhe vëllazërim të popullit shqiptar. Tuzit dhe Malësisë i ka hije kjo vepër, sepse Skënderbeu, nga aty ku është vendosur, do të vështrojë Malin e Deçiqit, ku për herë të parë u ngrit flamuri i tij, pas pothuajse 500 vjetësh. Ismail Kadare ka thënë se kryengritjet antiotomane fillojnë me Skënderbeun dhe mbarojnë me Dedë Gjo Lulin. Diaspora shqiptare e Amerikës meriton nderime për kontributin e saj financiar. Meritojnë gjithashtu respekt edhe udhëheqësit politikë të Tuzit dhe Malësisë, të cilët patën fuqi morale dhe politike për ta realizuar këtë qëllim. Prijësit e Tuzit dhe Malësisë u treguan shumë seriozë dhe patriotë kur bëhej fjalë për këtë vepër të madhe. Urime Tuz, urime Malësi, urime diasporë për këtë vepër madhështore!

comment1 koment
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat