28 Nëntor - Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”: Mesha e Shenjtë e Pavarësisë së Shqipërisë

Amerika

28 Nëntor - Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”: Mesha e Shenjtë e Pavarësisë së Shqipërisë

Nga: Beqir Sina Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 06:40
Foto nga vendngjarja

Lutja:
Falenderojmë Zotin për familjet tona dhe këtë vend të bekuar në ditën e “Thanksgiving”, por gjithashtu falenderojmë Zotin për Dëshmorët dhe Martirët Shqiptarë që dhanë jetën për Liri.

HARTSDALE, NY:
Në Nju Jork, java e flamurit, përveç ceremonive që u mbajtën gjatë këtyre ditëve në të gjitha vendbanimet e shqiptarëve në SHBA, në 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, u mbajt edhe Mesha e Shenjtë e Flamurit në Kishën Katolike të shqiptarëve "Zoja e Shkodrës".
Kjo është një traditë shumëvjeçare këtu në SHBA për komunitetin katolik shqiptar në Nju Jork dhe rrethinat e tij.

Ceremonia festive filloi me mbajtjen e Meshës në mesdrek nga meshtari Dom Pjetër Popaj, një meshë kjo kushtuar dëshmorëve të kombit, dhe më pas me ngritjen e Flamurit në kambanoren e Kishës “Zoja e Shkodrës”.

28 Nëntori - Dita e Flamurit kuq e zi, u mbajt në shenjë falenderimi me Ditën e Falenderimeve - Thanksgiving, për një falënderim edhe për kontributin e SHBA për Kosovën dhe çështjen shqiptare.

Si çdo vit, edhe këtë herë, në festimin e saj tradicional, Kisha Katolike "Zoja e Shkodrës" solemnizoi ngritjen e Flamurit Kombëtar, flamurit kuq e zi me shqiponjën me dy krena mbi kambanoren e Kishës, duke mbajtur një meshë për Pavarësinë e Shqipërisë dhe lutje për Dëshmorët dhe Martirët Shqiptarë që dhanë jetën për Liri.

Në llogarinë e saj në Facebook, Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” shpërndau një video, ku tregohet ceremonia e mbajtur në mesdrekë, me rastin e ngritjes së flamurit mbi kambanoren e Kishës, Meshën dhe fjalimet e mbajtura me këtë rast.

“Më shumë se tre dekada, flamuri i Kastriotit, flamuri i kuq me shqiponjën e zezë me dy krena, po valvitet mbi kambanoren e Kishës Katolike Shqiptare 'Zoja e Shkodrës', për të nderuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor,” ka thënë famullitari i kësaj kishe, Dom Pjetër Popaj.

Ai ka shtuar: "Kjo i jep bashkësisë shqiptare një ndjenjë njohjeje dhe krenarie, për të parë këtë flamur këtu në kambanoren e kishës sonë", thotë Popaj.

Ngritjen e flamurit tonë kombëtar në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, e kanë bërë një grup djemsh e vajzash të veshur me kostume folklorike, së bashku me dhjetra besimtarë.

Dom Pjetër Popaj, pasi ofroi Meshën e Shenjtë për Flamurin kuq e zi në oborrin e kishës, këndoi me fëmijët dhe korin e kësaj kishe himnin tonë kombëtar dhe atë amerikan, "The Star-Spangled Banner".

Në Qendrën Kulturore "Nana Tereze" pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” u mbajtën edhe disa fjalime përshëndetëse, na tha Toni Dedivanaj, një nga vullnetarët e kësaj kishe që ka përcjellë aktivitetin.

Ai tha se folën Gjek Gjonleka, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, Prof. Gjon Frani Ivezaj, shkrimtari Mëhill Velaj, ndërsa interpretoi poezi patriotike poeti popullor Nosh Camaj.

Gjonlekaj, i cili parapriu ditën e flamurit, me një shkrim foli për këtë ditë të shënuar në binomin Fe, Atdhe dhe Komb.

Ai shkroi: "Në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, festës më të dashur dhe më të shenjtë të kombit shqiptar, në Tuz të Malësisë u vendos, në 28 nëntor, ditën e flamurit të Skënderbeut, përmendorja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, përkarshi Deçiqit të ngritjes së flamurit më 1911. Ky është dhe do të mbetet një hap gjigant që do të nderohet përjetësisht nëpër shekuj," ka shkruar Gjonlekaj.

Me këtë rast, grupet e valltarëve të kësaj famullie kënduan dhe vallëzuan në gëzimin e festës së Pavarësisë, ndërsa u dha edhe një koktej modest në Qendrën Kulturore "Nana Tereze".

Zoti e bekoftë popullin shqiptar dhe Amerikën - Gëzuar Ditën e Flamurit - Pavarësinë e Shqipërisë, thotë famullitari Dom Pjetër Popaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat