Si e kujtoj unë, Dom Prekë Ndrevashak

Amerika

Si e kujtoj unë, Dom Prekë Ndrevashak

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 9 dhjetor 2024 Në ora: 08:19
Dom Prekë Ndrevashaj

Të nderuar klerikë, pjesëmarrës, miqë e dashamirë të Dom Prekë Ndrevashaj -- këtij burri të madh të Kishës e të Kombit. Përshëndetjet e mia më të përzemërta të gjithëve.

Fillimisht, dua të falenderoj Dr Gjekë Gjelaj për ftesën për të marr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prekë Ndrevashaj, themeluesit të Famullisë së Zojës Pajtore dhe prijsit të komunitetit katolik shqiptar në Michigan. U kërkoj ndjesë që për arsye të disa angazhimeve të mëhershme nuk kam mundësi të jem në mesin tuaj për të kujtuar, në këtë përvjetor, mikun tonë të përbashkët, Dom Prekën. Por u jam mirënjohës organizatorëve të këtij tubimi përkujtimor që më dhanë mundësinë të dërgoj me shkrim disa fjalë -- kujtime të mia në këtë 20-vjetor të kalimit në amshim të Dom Prekës, zemra e të cilit pushoi së rrahuri me 1 tetor, 2004.

20-vjet më parë u zhduk fytyra fisnike e një meshtari, humanisti e atdhetari të madh shqiptar. Nga qielli i Dukagjinit u shkëput një yll i shkëlqyeshëm, duke lënë pas një dritë që nuk shuhet as sot as mot. Vdekja e tij varfëroi Dukagjinin që e lindi, hidhëroi pa masë dhe mbuloi në zi famullinë e tij në Detroit, ku kreu veprimtarinë e tij fetare e atdhetare për shumë vite. Njëkohsisht, tronditi miq e dashamirë të shumtë në Shqipëri dhe anë e mbanë botës, sidomos mërgimtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, me të cilët kishte lidhje të veçanta.

Si luftëtar i pathyeshëm, Dom Preka ishte dëshmitar i shumë ngjarjeve historike të shekullit të kaluar dhe fillim shekullit XXI, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe në mërgatën shqiptare. Ndër të tjera, shembjen e diktaturës së zezë komuniste dhe çlirimin e Kosovës nga forcat kriminale të regjimit serbo-rus të Beligradit. Dom Preka ishte shumë i lidhur me fatin e dhejtra mijëra shqiptarëve në mërgim, sidomos atyre në Amerikë.

Janë të shumtë ata shqiptaro-amerikanë të ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në jetën e të cilëve Dom Prekë Ndrevashaj ka luajtur një rol të rëndësishëm, qoftë gjatë qendrimit të tyre në kampet e refugjatëve në Itali, qoftë më vonë. këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mijëra familje shqiptare të arratisura nga komunizmi e të cilët, me ndihmën e pa kursyer të Dom Prekës, kanë gjetur në këtë kontinent-planet, lirinë dhe një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre.

Image
Autori me Dom Prekë Ndrevashaj dhe Dr. Elez Biberaj -- gjithashtu mik i ngusht i Dom Prekës -- duke dalur nga ndërtesa e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, 1985. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

Edhe unë jam një prej atyre mijëra shqiptaro-amerikanëve, që me ndihmën e pa-zevendsueshme të Dom Prekës jam vendosur në Amerikë, 54 vjet më parë. Ishte dimri i vitit 1969 kur takova për herë të parë Dom Prekën në një zonë të izoluar të Italisë, të quajtur San Biaggio, Kardito e Atina të mbuluara me borë, ku ai kishte shkuar nga Romë, për tu takuar e për të qa hallet me refugjatët shqiptarë, të cilët prisnin – nën kushte mjaft të vështira, miratimin për vendosjen e tyre, kryesisht, në Amerikë ose në ndonjë vend tjetër të perëndimit. Në atë kohë isha 19-vjeç kur kalova kufirin jugosllavo-italian afër Sezhanës në Slloveni drejtë Italisë për një jetë të lirë e më të mirë në botën demokratike perëndimore. Ishte vërtetë një periudhë shumë e vështirë për mijëra refugjatë shqiptarë si unë, disa të dëbuar e të tjerët të detyruar të largoheshim nga trojet tona të vendlindjes, qoftë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, qoftë nga sllavo-komunistët jugosllavë. Ishte një kohë mjaft e tensionuar në ish-Jugosllavi për shqiptarët pas demonstrative të shqiptarëve të Kosovës të vitit 1968 kundër regjimit serbo-jugosllav komunist dhe pushtetarëve komunistë shqiptarë. Kampet e refugjatëve ishin plot me të arratisur anti-komunistë shqiptarë por edhe nga Evropa lindore e qendrore, pasi ishte edhe një periudhë tensionesh botërore, menjëherë, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, me 20 gusht, 1968.

Për një vit e diçka, gjatë qëndrimit tim në Romë, në pritje për të emigruar në Amerikë, Dom Preka më përkrahi, duke më mundësuar punë në zyrën e emigracionit (Pontificia Opera di Assistenza -POA), ku punonte ai vet dhe duke më dhënë ndihmën e pa kursyer -- duke më ofruar mundësinë edhe për të mësuar anglisht dhe italisht -- gjë që nuk do t’ia harroj sa të jem gjallë, pasi më vuri bazat për vazhdimin e shkollës në Amerikë.

Image
Dom Prekë Ndrevashaj, i pari majtas me një grup mërgimtarësh shqiptarë në San Biaggio, Itali, maj, 1968. Me të, në rend të parë dallohet Mr. Mckeever (Markivi, siç e thirrnin shqiptarët, Shefi irlandez i zyrës POA për mërgimtarë në Romë dhe Ndoc Vulaj. Në qendër të fotos, rapsodi popullor, Pjetër Çup Qafa duke kënduar me çifteli.

Ndihma dhe roli kritik i Dom Prekës në jetën time në kampin e refugjatëve në Itali (1969-1970) dhe më vonë në Amerikë, nuk ishte aspak ndryshe nga ndihmat që ai u ka ofruar dhe roli që ai ka luajtur në jetën e mijëra shqitarëve të tjerë dhe familjeve të tëra shqiptare, pa dallim.

Kur e kam takuar Dom Prekën në San Biaggio-Cardito-Atina në jug të Italisë, në vitin 1969, aty gjeta gegë e toskë, myslimanë, bektashinjë, katolikë e ortodoksë, të gjithë shqiptarë, pothuaj nga të gjitha trojet shqiptare: Rrugëve të botës, por të gjithë të bashkuar dhe të lumtur për shoqërimin dhe miqësinë që kishin lidhur me njëri tjetrin, si shqiptarë pa dallim, përball një fati dhe rrethanash shumë të vështira, rrugëve të botës. Mbledhur rreth një prifti katolik, shqiptar, modest e zemërgjerë, i cili përpiqej të ndihmonte të njohurin e të panjohurin, vetëm a ishte shqiptar. Ai shte një person për atë kohë që, duke shikuar prapa në atë periudhë historike, por përcaktuese për fatin e shumë mërgimtarëve shqiptarë, nga këndveshtrimi i sotëm, do të thoja se mos të kishte qenë Dom Preka ai që ishte, atëherë, në atë detyrë që ia kishin caktuar Vatikani dhe Organizata e Kombeve Bashkuara -- do duhej ta kishim çpikur një person si ai, për një përgjegjësi të tillë kritike dhe humanitare.

Si shumë të tjerë, dëshmitar i këtij fakti dhe përfitues jam edhe unë. Unë nuk do të isha ky që jam sot dhe nuk do të kisha pasur një jetë dhe karrierë të gjatë e të lumtur në Amerikë, po mos të kisha pasur ndihmën dhe përkrahjen e Dom Prekës, ç’prej fillimit në Itali, por edhe më vonë. Si rrjedhim, unë, falenderoj Zotin që më ka njoftuar me Dom Prekën, në atë kohë në Shtetet e Bashkuara. Në një kohë kur kisha më së shumti nevojë për mbështetje, për këshilla e për udhëzimet e tija. Jam i bindur se po mos të kisha pasur ndihmën e tij, nuk e di se ku do më kishte hedhur mua fati i jetës, por dhe shumë bashkatdhetarë, të cilët sot përbëjnë, “diasporën” shqiptare në Amerikë -- më të fortë se kudo në botë.

Them “diasporë”, duke mos qenë i sigurt nëse Dom Preka preferonte një fjalë të tillë përshkruese për mërgatën shqiptare. Sot, për fat të keq abuzohet me fjalën “diasporë”, qoftë nga Tirana zyrtare ashtu edhe nga Prishtina. Si një parentezë në lidhje me këtë -- më kujtohet një deklaratë e Dr Ibrahim Rugovës më vonë, kur vizitonte shpesh shqiptarët e Amerikës, se nuk i pëlqente përdorimi i fjalës diasporë sepse kjo fjalë, rrjedh nga greqishtja e vjetër, që sipas tij, do të thotë, “farë e humbur”. Mërgimtarët tanë në Amerikë dhe kudo tjetër, ka shtuar Rugova, nuk janë farë e humbur por janë njerëzit më të mirë. Kështu ka menduar edhe Dom Prekë Ndrevashaj për mërgimtarët tanë -- për ne të gjithë – të cilët ai, në një mënyrë ose një tjetër, na ka ndihmuar pa kursim – si njerzit ndër më të mirë të Kombit, por nevojtarë, rrugëve të botës -- “gjak i shprishur”, po, por gjak i mirë -- përhapur anë e mbanë botës, në kërkim të një jete të lirë e normale.

Prandaj, sot në këtë 20-vjetor të kalimit të tij në amshim kujtojmë, duke falënderuar të Madhin Zot për jetën dhe veprën e këtij shërbëtori të Zotit e të Atdheut, që ka bërë të mundur për mijëra shqiptarë të jetojnë në liri këtu në Amerikën tonë të bekuar – një komunitet i fortë dhe aktiv. Vërtetë, sot kujtojmë Dom Prekën por, njëkohsisht, falë Dom Prekës, si udhëheqës, jo vetëm fetar, i këtij komuniteti, sot kujtojmë dhe festojmë edhe një histori të lavdishme arritjesh e suksesesh të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit dhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara ku jetojnë shqiptarë, të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës dhe të verpimtarisë tonë në këtë vend të lirë e demokratik.

Image
Në zyrën e Dom Prekës në Romë, (njëkohësisht edhe strehimi im si refugjat në Romë, 1970) -- Dom Gjeto Radi me lahutë, Dom Preka me fyell dhe autori me çifteli, (me Dom Gjeto Radin) viti 1970.

Duhet të falenderojmë pra të Madhin Zot, që ekzaktërisht në atë periudhë të historisë sonë të vështirë, dërgoi në mesin tonë Dom Prekë Ndrevashajn — që përveç thirrjes së tij si meshtar për tu kujdesur për nevojat shpirtërore të popullit të vet — ai pranoi të merrte përsipër gjithashtu edhe rolin për të ndihmuar mijëra refugjatë shqiptarë të shpërndarë nepër kampet e Italisë. Ai nuk kishte nevojë të pranonte një detyrë të tillë plot kokëçarje, pasi mund të shërbente si famullitar në ndonjë kishë të Romës dhe të kalonte një jetë në paqë dhe pa turbullira. Por, Dom Preka, mbi të gjitha, dëshironte të ishte me popullin e vet, pranë bashkatdhetarve të tij, të cilët si ai vet, kishin vuajtur dhe po vuanin fatin dhe barrën e rëndë të jetës në emigrim, si refugjatë. Të përjashtuar nga atdheu i tyre, vetëm e vetëm se kundërshtonin një regjim krejt të huaj për shqiptarët – diktaturën komuniste. Dom Ndue Gjergji, pasardhësi i Dom Prekës këtu në famullinë Zoja “Pajtore e Shqiptarëve”, ka thenë se tri dashuri të mëdha kishte Dom Preka: “Popullin, Fenë dhe Atdheun!”

Siç mund ta dini, unë kam pasur fatin të punoj për Zërin e Amerikës gjatë luftës së ftohtë, periudhën më interesante dhe kritike për lirinë e demokracinë në botë, në kulmin e luftës midis të mirës e të keqës – në luftën midis të vërtetës dhe gënjeshtrës. Në mbrojtje të së VËRTETËS historike, Dom Preka nuk ia kishte frikën kujt, megjithëse kishte edhe armiq, që e ndjeknin në Itali dhe në Amerikë, që donin të sabotonin punën e tij humanitare, patriotike dhe fetare në komunitetin tonë mërgimtar. Ata ishin kryesisht agjentë të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe agjentë të regjimit sllavo-komunist të Beogradit. E vërteta, për realizimin e së cilës Dom Preka luftoi me të gjitha fuqitë e veta mendore, intelektuale e fizike, më në fund ngadhnjeu edhe mbi këto mbeturina të historisë. Në kulmin e luftës midis demokracisë dhe komunizmit, Dom Preka ishte një mbrojtës i palëkundur i së VËRTETËS dhe admirues i madh i misionit të Zërit të Amerikës në atë kohë. Gjatë asaj kohe (pasi kisha filluar punën në Zërin e Amerikës në 1974) isha shpesh në kontakt me Dom Prekën ndërsa interesohej për transmetimet e Zërit të Amerikës dhe për zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë. Si shenjë interesimi, më kujtohet predikimi ditën e Pashkëve në prill të vitit 1975, kur meshën e shënjtë, Dom Prek e ka mbyll me këto fjalë në mbështetje të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, duke u bërë thirrje besimtarëve që të dëgjojnë Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe: “…A keni dëgjuar se Zëri i Amerikës flet edhe në gjuhën shqipe. Programet përgatiten nga gjashtë gazetarë shqiptarë të përgatitur dhe shumë të zotët. Është një gjë pozitive se numri i gazetarëve po rritet e zani i Zërit të Amerikës po na vjen çdo ditë e më i ëmbël në vatrat tona të mërguara. Një nga këta gazetarë që po dallohet është bashkëpunëtori i revistës së famullisë tonë, “Rreze Shelbuese”, Z. Fran Shkreli. Ai nuk na ka harruar, por na kujton në emisionet që drejton e prandaj po e bekoj zanin dhe punën e tij të shkëlqyer në shërbim të shqiptarizmit dhe të bashkimit tonë. Kështu them, se është një dobi e madhe që të informoheni me informacionet dhe lajmet e Amerikës dhe krejt botës në gjuhën shqipe. Dëgjojeni pra Zërin e Amerikës, zërin e Fran Shkrelit se është zëri juaj, zëri i së vërtetës, çdo ditë nga ora 2:30 pm dhe 4-4.30 pm, duke përfshirë të shtunën dhe të dielën mbas meshës tonë. Ne i urojmë Zërit të Amerikës plot suksese e shëndet, e të gjithë atyre që përpiqen dhe bëjnë një punë aq të bukur në gjuhën shqipe”, ka përfunduar Dom Preka thirrjen drejtuar besimtarëve në mbështetje të Zërit të Amerikës. Për mua nuk mund të ketë kujtim më të mirë e më të bukur se ky, nga një intelektual, klerik dhe atdhetar, siç ishte Dom Prekë Ndrevashaj.

Trashëgimia e Dom Prekës, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi Zotit dhe mërgimtarëve shqiptarë, vazhdon të jetë e gjallë edhe sot – 20-vjet pas kalimit të tij në amshim, në komunitetin shqiptaro-amerikan, duke na këshilluar që të vazhdojmë me moton: “Jeto në Zotin, e jeto në Kombin!” Bazuar në këtë moto që e nxiste dhe e udhëhiqte Dom Prekën në jetën dhe veprimtarinë e tij shumë vjeçare në shërbim të Zotit, Atdheut dhe komunitetit shqiqtaro-amerikan, (duke marrë parasysh edhe karrieren time prej dekadash si gazetar) unë e kujtoj atë si një admirues dhe luftëtar i fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit. “Lufta me penë, sjellë fitore”, ka shkruar ai me një rast. Se shtypi i lirë, në botën e lirë, heret ose vonë, do të ua hapi sytë, se drita e lirisë së fjalës, e “mbrujtur me patriotizmin ka për ta udhëhequr popullin shqiptar për t’u shkëputur nga vargojtë e komunizmit. Lirinë e njerëzve dhe të fesë nuk ka zinxhirë që ta mbajë të mbyllur. Ajo po agon. Të punojmë për to, të bashkuar si një trup i vetëm me zemër e shpirt për Shqipërinë. Krishti na porosit të mos kemi frikë për të Vërtetën!”, është shprehur Dom Preka duke folur me një rast për lirinë e shtypit shqiptar në mërgim. Prandaj, sot unë e kam për nder dhe privilegj që, ndër të tjera, të:

Kujtoj Dom Prekën si organizator, i buzëqeshur, që me një fjalë e largon frymën e urrejtjës dhe të ndarjes. Si një njeri që falë shpejt dhe shëron shumë zemra të plagosura. Mbi të gjitha, siç është shprehur miku i tij, Mons Zef Oroshi, “Dom Preka manifeston tiparet e kullës së Dukagjinit dhe pastërtinë e ligjeve të maleve tona”.

E kujtoj Dom Prekën si klerik i nderuar, atdhetar e humanist – por edhe trim – në ndonjë rast kur përballej me ndonjë të papritur – ai paraqiti gjithmonë meshtarin shembullor, përfaqësoi shqiptarin e kulluet, por edhe përvehtësoi luftëtarin guximtâr. Ai i fali komunitetit shqiptaro-amerikan, mërgimtarëve anë e mbanë botës, por dhe Atdheut të vet, puntorin e palodhshëm, por nuk i mohoi as letërsisë dhe gjuhës shqipe, shkrimtarin e poetin.

E kujtoj Dom Prekën edhe si diplomat që luante gjithashtu rolin e diplomatit. Si përfaqësues i mërgimtarëve i duhej të mirrej me diplomacinë e vjetër të Vatikanit dhe me diplomatë burokratë ndërkombëtarë të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë e Romë, për të siguruar sa më shumë mbështetje për refugjatët shqiptarë të mbetur rrugëve të Evropës, pa ndihmën e askujt.

E kujtoj Dom Prekën, si një përfaqësues të denjë të një brezi klerikësh shqiptarë të cilët i luteshin Zotit në faltoret e tyre, por siç është shprehur edhe Imam Vehbi Ismaili, ata ishin gjithmonë të “barazpeshuar” në dashurinë e tyre për fenë dhe për Atdheun e tyre, por edhe në respektin për njëri tjetrin dhe për besimin e njëri tjetrit. Dom Prekën e kujtoj si shembull i tolerancës fetare e krahinore ndër shqiptarët!

e kujtoj Dom Prekë Ndrevashajn si një mbrojtës së Vërtetës –sepse besonte në të VËRTETËN si një mjet bashkimi, ndërkohë që luftonte gënjeshtrën si një mjet që shkaktonte ndarje dhe përçarje në botën shqiptare, përfshir edhe diasporën, të cilën e deshti dhe për të cilën punoi aq shumë. Ishte shembull i bashkimit dhe i bashkpunimit me komunitet e tjera fetare dhe organizatat e tjera të komunitetit shqiptaro-amerikan.

E kujtoj Dom Prek Ndrevashaj, edhe si poet e përkthyes shumë i talentuar, që bashkëpunoi me revistën ‘Shêjzat’ të botuesit dhe shkrimtarit Prof. Ernest Koliqi, dhe të poetit e shkrimtarit Martin Camaj – revistë ku ka botuar disa poezi që shquhen për fjalorin e tyre të pasur, karakteristik për të folmen e Dukagjinit. Sipas disa burimeve, Dom Preka ka lenë pas një numër dorëshkrimesh, novela dhe përkthimesh fetare. Njëri prej bashkpuntorëve dhe bashkohas i Dom Prekës, studiuesi dhe gjuhëtari Karl Gurakuqi ka shkruar se Dom Prekë Ndrevashaj, si bir malesh që ishte, në shkrimet e tija, përdorte fjalë të rralla, që janë thjesht shqipe – gjuhën e pastër të maleve tona. Atje ku “zakonet janë ruejt të paprekuna e gjuha ashtë mbajtun e dlirë’, ka shkruar Gurakuqi, duke porosit lexuesit që t’a rilexojnë Dom Prekë Ndrevashajn, sepse do të, “vërejnë se sa bukur tingëllon shqipja kur e përdor nji pendë e mësueme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat