Në vazhdën e deklarimeve për krimet e luftës në Kosovë nga makineria serbe, Ambasadori i Republikës së Kosovës pranë Misionit të OKB-së në New York, Shkëlqësia e Tij Z. Blerim Reka organizoi shfaqjen e filmit dokumentar “Return to Kosovo/Kthimi në Kosovë”. Mes të tjerave në fjalën e hapjes Ambasadori Reka, përmendi edhe rastin e mbi 20 mijë vajzave dhe grave, si viktima të dhunës seksuale nga forcat militare serbe në Kosovë.
Dokumentari u shfaq më 17 nëntor 2025, në "Fount Studios" në Manhattan dhe i rreferohet djalit nga Kosova, Besnik Deliun, familjes së tij dhe masakrës që ndodhi nga forcat militare serbe në zonën e Obrisë. Si një ndër kapitujt e errët të historisë së Kosovës, ajo nuk ishte ngjarja e vetme e krimeve serbe, por pjesë e pashkëputur e genocidit, terrorit sistematik dhe dhunës ushtruar nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.
Gjithashtu "Kthimi në Kosovë" rrëfen historinë e gazetarit britanik Julius Strauss, i cili në shtator të vitit 1998 në mes të luftës në Kosovë takon Besnik Deliun, djalin pesëvjeçar, i cili i mbijetoi i një masakre që mori jetën e 23 anëtarëve të familjes së tij. Julius krijon një lidhje të ngushtë me Besnikun, duke e vizituar rregullisht dhe duke e mbështetur gjatë luftës.
Dokumentari "Kthimi në Kosovë" që trajton historinë e masakrës në Obrinë e Epërme, kryer nga forcat serbe më 26 shtator 1998 është shfaqur edhe në ambientet e Parlamentit Evropian. Krime këto të dokumentuara, që duhet të ndërgjegjësojnë popujt e vendet që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Dokumentari gjithashtu po konkuron në disa festivale filmash ndërkombëtarë.
Regjisorët e këtij dokumentari janë Ben Harding, Donald Harding, Emma Strauss, Julius Strauss, producent është Donald Harding, ndërsa producentë ekzekutivë janë Leman Kamberi Muriqi, Vaughan Smith.
Pas shfaqjes së dokumentarit u mbajt një panel diskutimi me ish korrespondentin e luftës për gazetën The Daily Telegraph (Mbretëria e Bashkuar) Julius Strauss, i cili raportoi nga Kosova gjatë luftës në vitet 1998–1999. Ky event u ndoq nga gazetarë, artistë shqiptarë dhe të huaj, aktivistë të komunitetit shqiptar në New York, si dhe nga kandidati republikan për kongresin amerikan Diamant Hysenaj.
Pas panelit të diskutimit, ngjarja u shoqërua me një koktej të rastit.