Ne nuk harrojmë! Ne nuk do të harrojmë kurrë!

Amerika

Ne nuk harrojmë! Ne nuk do të harrojmë kurrë!

Më: 22 janar 2026 Në ora: 07:36
Foto nga vendngjarja

Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, shefi i misionit, ambasadori Blerim Reka, dhe Mark Gjonaj – kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare – organizuan një tubim përkujtimor të veçantë.

Në këtë aktivitet morën pjesë aktivistë të komunitetit, përfaqësues të shoqatave shqiptare të Nju Jorkut dhe disa pjesëtarë të Batalionit Atlantik, përfshirë ish-komandantin Gani Shehu, të cilët u mblodhën për të nderuar viktimat e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë dhe për të ripërsëritur thirrjen për ndëshkim ndërkombëtar të autorëve të krimeve, të klasifikuara si të tilla nga Konventa e OKB-së.

Sipas njoftimit zyrtar të Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, ambasadori Reka dhe Mark Gjonaj, të cilët edhe e drejtuan ngjarjen, rikujtuan faktet e hidhura që ende presin drejtësi: Serbia vrau 13,950 shqiptarë, përdhunoi mbi 20,000 qytetarë e qytetare të Kosovës dhe ende nuk janë gjetur rreth 1,620 persona të zhdukur me forcë.

Image
Foto nga vendngjarja

“Këto shifra nuk janë thjesht statistika; ato janë dëshmi e një tragjedie sistematike që synoi shfarosjen e një populli të tërë,” citohet të ketë thënë ambasadori Reka.

Në këtë ngjarje foli edhe aktivisti Shpëtim Qorraj, një nga themeluesit e American Albanian Association of Kosovo dhe kryetari i saj, i cili, së bashku me anëtarët e shoqatës, iu bashkua komunitetit në konsullatë për të kujtuar viktimat e luftës në Kosovë.

“Për mua kjo nuk është histori, është jeta ime,” tha ai me emocion në një shënim në faqen e tij në Facebook. Me këtë rast, ai thuhet se ka nderuar anëtarët e familjes së tij të vrarë: babanë hero Mustafë Qorraj, që luftoi dhe ra dëshmor që ne të jetojmë të lirë; gjyshin e plagosur që qëndroi trimërisht në shtëpinë e vet; profesorin e tij Ajet Beqiri dhe Shukri Qorrajn; Bekë Imerajn dhe familjen e tij, përfshirë djalin e vogël Afrim, që ishte vetëm një vjeç; si dhe pleqtë e ekzekutuar dhe të djegur.

“Ne duhet t’ia tregojmë botës çfarë ndodhi dhe të mbajmë përgjegjës çdo kriminel,” ka përfunduar ai.

Në këtë tubim, sipas njoftimit, folën edhe ish-komandanti i Batalionit Atlantik, Gani Shehu, si dhe aktivistë të tjerë të komunitetit shqiptar në Nju Jork. Të gjithë së bashku përforcuan të njëjtin mesazh: kujtimi i viktimave nuk zbehet me kohë, por mbetet një detyrim i përhershëm për drejtësi dhe dinjitet.

Ky përkujtim në diasporë tregon forcën e bashkimit të komunitetit, nga ish-luftëtarët e Batalionit Atlantik, te familjarët e dëshmorëve të Kosovës, e deri te aktivistët që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, derisa ajo të vihet në vend.

Pavarësisht kalimit të viteve, zërat në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork iu bashkuan edhe një herë zërave të komunitetit shqiptar në SHBA për të thënë me vendosmëri se krimet nuk mund të fshihen, drejtësia duhet të vijë: Ne nuk harrojmë! Ne nuk do të harrojmë kurrë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat