Kandidati për Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut në Distriktin 64, Shpëtim (Tim) Qorraj, ka çelur zyrtarisht fushatën e tij elektorale me një takim prezantues të mbajtur në Staten Island, pranë komunitetit shqiptar. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e “Cielo”, në adresën 1435 Hylan Blvd, dhe u mbyll si një takim prezantimi dhe dialogu me qytetarët, ku Qorraj shpalosi vizionin dhe prioritetet e kandidaturës së tij.
Në këtë takim morën pjesë anëtarë të komunitetit, përfaqësues lokalë, mbështetës dhe figura të shoqërisë civile, ndërsa kandidati theksoi nevojën për një përfaqësim më aktiv dhe më të drejtë për East Shore të Staten Island dhe Bay Ridge në Brooklyn. Sipas tij, këto zona janë lënë për vite me radhë në periferi të vëmendjes institucionale, veçanërisht në çështje si siguria publike, transporti, arsimi dhe mbrojtja e lagjeve nga fatkeqësitë natyrore.
Gjatë fjalës së tij, Qorraj u prezantua si banor i South Beach, sipërmarrës i një biznesi të vogël, bashkëshort dhe baba, duke nënvizuar se përvoja e përditshme e ka bërë të ndërgjegjshëm për problemet reale të familjeve të distriktit. Ai theksoi se kandidon për të ndërtuar një New York më të përballueshëm, ku familjet të mund të qëndrojnë, të moshuarit të kenë një pension dinjitoz dhe brezi i ri të gjejë mundësi reale zhvillimi në vendin e vet.
“Kjo fushatë ka të bëjë me vendosjen e komunitetit në radhë të parë dhe ndërtimin e një Distrikti 64 më të sigurt, më të fortë dhe më të qëndrueshëm. East Shore i Staten Island dhe Bay Ridge në Brooklyn meritojnë një përfaqësues që të jetë i pranishëm, të dëgjojë dhe të luftojë për burimet që u takojnë,” u shpreh Qorraj, duke kërkuar mbështetjen dhe besimin e komunitetit.
Kush është Shpëtim (Tim) Qorraj
Shpëtim (Tim) Qorraj u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2011, në kërkim të mundësive dhe rritjes profesionale dhe aktualisht jeton në Staten Island. Si një lider aktiv komunitar, Tim i ka kushtuar kohën e tij garantimit që komuniteti shqiptar, por edhe të gjithë banorët e Staten Island, të kenë zë dhe akses në burimet që u nevojiten për të lulëzuar. Ai ka udhëhequr krijimin e organizatave jofitimprurëse që kanë fuqizuar familjet emigrante në të gjithë distriktin.
I lindur në Kosovë, Tim Qorraj u rrit në një periudhë të vështirë, në një vend të përfshirë nga konfliktet. Jeta e vuri herët përballë sfidave të rënda, pasi në moshën 13-vjeçare humbi të atin, një veteran lufte, i cili ra gjatë luftës. Kjo tragjedi e frymëzoi Tim-in të vazhdojë trashëgiminë e të atit, duke luftuar për të drejtat e njerëzve, lirinë dhe mbrojtjen e demokracisë. I shtyrë nga kjo thirrje, ai ndoqi studimet e nivelit Master në të Drejtën Penale, duke u pajisur me njohuritë ligjore të nevojshme për të mbrojtur bindjet e tij.
Tim është sipërmarrës i një biznesi të vogël, pronar i “Skyler Services Group LLC”, ku ofron shërbime rinovimi, mirëmbajtjeje, porter dhe super services. Si pronar biznesi, ai e njeh nga afër burokracinë dhe pengesat që vendosen nga qeveria. Nga taksat dhe licencimet, e deri te shumë procedura të tjera, të bësh biznes në Nju Jork është bërë më e vështirë sesa në shtete të tjera.
Si baba i dy djemve të vegjël që ndjekin shkollën publike në Staten Island dhe anëtar aktiv i Shoqatës Prindër-Mësues (PTA), Tim është një mbështetës i fortë i arsimit publik dhe punon që shkollat të marrin financimin e nevojshëm për të përgatitur liderët e së ardhmes.
Tim jeton në lagjen South Beach të Staten Island me bashkëshorten e tij, Kathleen Durkin Qorraj, dhe dy djemtë e tyre, Ronan (9 vjeç) dhe Bren (7 vjeç), të cilët e frymëzojnë çdo ditë të punojë më fort dhe të ëndërrojë më shumë.