Në atë mëngjes të zi të 2001-shit ranë gati 3.000 njerëz. Midis tyre, tre shqiptarë që punonin në Kullat Binjake.
Një video e publikuar sot nga televizioni 6abc tregon procesionin solemn në Montgomery County, Pensilvani.
Ku një memorial 18 metra i lartë, i ndërtuar me një I-beam, hekur i derdhur në fonderi, marrë nga Kulla Veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, po zhvendosej nga Qendra e Operacioneve të Emergjencës në Eagleville drejt Parkut Elmwood në Norristown.
Eskorta e policisë dhe motoçikletave, shkallët e zjarrfikësve me flamurin amerikan, e bëjnë pamjen më shumë se një transport, i cili është një akt kujtese, 25 vjet pas ditës që ndryshoi Amerikën.
Skulptura e artistes Sassona Norton, e porositur që në 2003 dhe e përuruar fillimisht në 2005, tregon dy duar të mëdha bronzi që mbajnë çelikun e shkatërruar.
Në bazament lexohet: “11 Shtator 2001. Të shumtët që vdiqën. Të shumtët që luftuan. Kujtimet nuk vdesin kurrë.”
Zhvendosja e bën monumentin më të aksesueshëm për publikun.
Ceremonia e ridedikimit do të mbahet më 11 shtator, pikërisht në 25-vjetorin e 9/11.
Në atë mëngjes të zi të 2001-shit ranë gati 3.000 njerëz. Midis tyre, tre shqiptarë që punonin në Kullat Binjake.
Simon Dedvukaj, 26 vjeç, përgjegjës i mirëmbajtjes, ndodhej në Kullën Veriore.
I ri, i përkushtuar ndaj familjes dhe komunitetit, në emër të tij nga familja është krijuar edhe një fondacion në Nju Jork, që mbështet brezat e rinj.
Rrok Camaj, nga Malësia e Madhe, pastronte xhamat.
Në katin e 105-të, i rrethuar nga flakët, i telefonoi djalit Vincent për t’i thënë lamtumirën dhe se tani ishte “në duart e Zotit”. Fjalët e tij mbeten dëshmi e dashurisë dhe guximit.
Mon Gjonbalaj, 65 vjeç, nga Kosova, kishte punuar 30 vjet si portier (doorman).
Refuzoi pensionin sepse e donte atë ndërtesë. Nga kati i 86-të u la amanet fëmijëve të rriteshin të fortë dhe ta mbanin familjen të bashkuar.
Këta tre burra nuk ishin ushtarë që ranë në ndonjë luftë, por ishin punëtorë të thjeshtë, emigrantë që kërkonin një jetë më të mirë, të jetonin të lirë. Por ata ranë si heronj, së bashku me zjarrfikësit, policët dhe qytetarët e tjerë që u përpoqën të shpëtonin të tjerët.
25 vjet më vonë, ndërsa një copë çeliku nga Kulla Veriore udhëton drejt një parku publik, mesazhi mbetet i njëjtë për të gjithë: se nuk i harrojmë.
As heronjtë e mëdhenj, as tre djemtë shqiptarë që atë mëngjes nuk u kthyen në shtëpi.
Kujtimi i tyre është pjesë e kujtesës sonë të përbashkët – shqiptare dhe amerikane.