Lufta bërthamore më afër se kurrë: Ora e Mesnatës si alarm strategjik global

Analiza

Lufta bërthamore më afër se kurrë: Ora e Mesnatës si alarm strategjik global

Nga: Prof. Dr. Muhamet Racaj Më: 30 janar 2026 Në ora: 15:37
Autori Prof. Dr. Muhamet Racaj

Sot, sistemi ndërkombëtar i sigurisë po përballet me një nga momentet më kritike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Vlerësimet strategjike të trajtuara edhe në sgumë emisione si dhe në emisionin“360” tregojnë qartë se rreziku i një përshkallëzimi bërthamor nuk është më hipotetik, por real dhe i matshëm. Simbolika e “Orës së Mesnatës” reflekton jo vetëm gjendjen e armatimeve bërthamore, por mbi të gjitha krizën e racionalitetit strategjik global.

● Konflikti në Ukrainë,

● përplasjet gjeopolitike ndërmjet fuqive të mëdha,

● dobësimi i mekanizmave ndërkombëtarë të kontrollit të armëve dhe

● rikthimi i retorikës kërcënuese bërthamore kanë minuar doktrinën tradicionale të parandalimit.

Armët bërthamore, të cilat për dekada kanë shërbyer si mjet i fundit i frikësimit strategjik apo te ashtuquajtur deterent(rikthim nga agresioni eventual) sot po përdoren gjithnjë e më shpesh si instrument presioni politik.

Një element veçanërisht shqetësues është normalizimi i diskursit bërthamor në komunikimin publik dhe politik. Kur kërcënimi bërthamor shndërrohet në pjesë të fjalorit të përditshëm, rreziku i keqllogaritjes strategjike rritet ndjeshëm. Historia ka dëshmuar se konfliktet më shkatërruese shpesh nuk kanë nisur nga qëllimi i drejtpërdrejtë, por nga gabimi, keqinterpretimi dhe përshkallëzimi i pakontrolluar.

Dimension i ri i rrezikut është integrimi i teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, në sistemet e komandës dhe kontrollit ushtarak. Automatizimi i vendimmarrjes strategjike, pa mekanizma të fortë mbikëqyrës njerëzorë, rrit mundësinë e reagimeve të parakohshme dhe fatale në situata krize.

Evropa, përfshirë Ballkanin Perëndimor, nuk është jashtë këtij realiteti. Prania e strukturave të NATO-s, interesat strategjike energjetike dhe rivalitetet gjeopolitike e bëjnë rajonin pjesë të drejtpërdrejtë të arkitekturës së sigurisë euroatlantike. Stabiliteti rajonal nuk mund të trajtohet i shkëputur nga dinamika globale e rrezikut bërthamor.

“​Ora e Mesnatës” nuk është profeci, por paralajmërim. Ajo mat pasojat e vendimeve politike dhe strategjike të gabuara.

Ulja e rrezikut kërkon:

● rikthim serioz të diplomacisë,

● rindërtim të marrëveshjeve për kontrollin e armëve,

përgjegjësi politike dhe një rol më aktiv të opinionit publik ndërkombëtar.

Nëse historia ka një mësim të qartë, ajo është se paqja bërthamore nuk ruhet me retorikë force, por me mençuri strategjike, komunikim të qëndrueshëm dhe vetëpërmbajtje.

Në këtë fazë kritike, indiferenca është po aq e rrezikshme sa vetë kërcënimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat