Konflikti diplomatik SHBA - EU së pari filloi me me tarifat doganore, u zgjerua me NATON dhe financimin e saj, kurse ky konflikt tash u zgjerua dhe po merr dimension të ri, me sulmin amerikan ndaj Iranit.
Konfliktit i parapriu kërkesa e presidentit Trump, në angazhimin e NATOS dhe EU në hapjen e ngushticës së Hormuzit. Kjo kërkesë pa diskutim u refuzua nga shtetet më të fuqishme perëndimore siç ishin Gjemania, Anglia, Franca, Italia etj. me arsyetime nga më të ndryshmet. Një nga to ishte duke refuzuar, se kjo nuk është luftë e tyre.
Me këtë donin t´ia bënin me dije presidentit Trump, se nuk i kishte konsultuar fare kur e kishte filluar konfliktin, kurse tash po e kërkon involvimin e tyre në luftë. Ky është një gabim i radhës i EU, e cila po punon tërësisht, në planin afatgjatë, kundër interesave të saj.
Derisa në Hungari tash do të mbahen zgjedhjet parlamentare, nënkryetari amerikan JD Vance një nga ditët e fundit mori pjesë në fushatën zgjedhore në përkrahje të Viktor Orbanit, një kundërshtar i fuqishëm i EU dhe një mik i thellë i Putinit.
Vetëm ky rast tregon për antagonizëm krejtësisht të kundërt SHBA - EU, që po mbretëron në skenën politike të tyre. Nënkryetari amerikan Vance, në tubimin parazgjedhor të Orbanit e akuzoi direkt EU si burokratike, e cila po e saboton Hungarinë ekonomikisht, në përparimin e saj. Fushatën pro Orbanit e përkrahu edhe presidenti Trump, kur deklaroi se po fitoi Orbani, SHBA do të investojnë fuqishëm në ekonominë hungareze.
EU së, ky gjest amerikan aspak nuk i përgjigjet dhe e shikon me skepticizëm kur dihet që ata janë të interesuar në rënjen e Orbanit, si mik i thellë i Putinit, sabotues i sanksioneve ndaj Rusisë dhe një nga bllokuesit e ndihmës financiare nga EU për Ukrainën. Tash momentalisht Orban është duke e bllokuar ndihmën 90 miliardësh kundër Ukrainës, me pretekst se ajo po e pengon furnizimin nga Rusia me derivate të naftës drejt Hungarisë.
EU po ashtu me vite është duke e kritikuar Orbanin në kapjen e institucioneve shtetërore dhe mediat, i ka keqpërdorur fondet e EU, por çka është me rëndësi, ai dhe qeveria e tij akuzohen edhe për korrupsion. EU e thotë haptas se Orbani është populist dhe antidemokrat, kurse SHBA e mbështesin fuqishëm zgjedhjen e tij duke e kritikuar EU si të papërgjegjshme dhe burokratike. Frontet pra janë diametralisht të kundërta. Duhet analizuar se edhe pas presidentit Trump, marrëdhëniet SHBA - EU nuk do të kthehen në nivelin që ishin para ardhjes së Trumpit në pushtet. EU duhet të zgjohet nga gjumi dhe ta marr përgjegjësi mbi fatin e saj, e jo të mbështetet tërësisht vetëm në SHBA.
Ku mbetet Kosova në trazirat politike SHBA – EU ?
Kosova është e vetëdijshme se po mbet nën mëshirën e EU, do të ripushtohej sërish nga Serbia, prandaj ajo fuqishëm orientohet dhe shikon drejt SHBA, por pa i cenuar marrëdhëniet me EU, ku i ka interesat afatshkurta dhe afatgjata të saj. Një brengë tjetër është se udhëheqësit e Kosovës sa herë që prononcohet politikisht, në të njëjtin rreth me Rusinë e Serbinë e futë edhe Kinën, që do të duhej më thellë të mendoi për hapat strategjik të saj.
Kina është momentalisht shteti i vetëm rival i SHBA, që ka pretendime ti zbret SHBA nga froni. Ajo punon në të gjitha frontet në këtë drejtim dhe i ka caktuar edhe afatet kohore. Po ndodhi kjo, shqiptarët nuk duhet ta kenë armik Kinën, sikurse Rusinë, Serbinë, Iranin, Bjellorusinë e Korenë Veriore. Duhet shkolluar kuadro që ta mësojnë kinezishten dhe të përgatiten që të jenë të aftë që Kinës në mënyrë diplomatike e historike t’ia shpjegojnë të vërtetën mbi Kosovën, duke e zbehur propagandën serbe ndaj Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë do ti shtonim gjasat që mos të na merrte Kina si komb dhe shtet armiqësor, ashtu siç na paraqet Serbia. Këto duhet të jenë interesa strategjike të shqiptarëve, pa i prekur marrëdhëniet me SHBA dhe EU. Në të njëjtën mënyrë veprojnë edhe EU dhe perëndimi në relacion me Kinën, kështu do të duhej edhe ne të sillemi. Sa më bindshëm që do ta demaskonim Serbinë pranë autoriteteve kineze, do ti shtonim gjasat që mos të trajtoheshim si armiq të Kinës.