Prodhuesi i shquar danez i lodrave, Lego, ka shkëlqyer vitet e fundit, duke krijuar një sërë lodrash si pjesë e serisë Lego Technic Ultimate Car Concept, me anë të së cilës kompania sjell në jetë një veturë ikonike.
Deri më tani ajo ka nxjerrë versione të bazuara në tulla të Porsche 911 GT3, Bugatti Chiron, Lamborghini Sian dhe Ferrari SP3 Daytona.
Niveli i detajeve që përfshihen në këto grupe ekskluzive është i jashtëzakonshëm, me modele të tilla që konsiderohen kaq sfiduese sa Lego vendos një udhëzues moshe ’18 plus’ në anë të kutisë.
Pra, si Lego dhe ekipi i tij i inxhinierëve e kthen një superveturë në një lodër?
Për ta zbuluar, Autocar ka folur me projektuesin e Lego Technic, Kasper Rene Hansen, njeriun që qëndron pas modelit më të fundit Lego Technic McLaren P1, një kopje në shkallë 1:8 e hiperveturës V8/hibrid.
“Bashkëpunimi filloi rreth dy vjet më parë”, shpjegoi Hansen.
“Pasi vendosëm të shkojmë me P1, unë fillova zhvillimin në dhjetor 2022 dhe e përfundova rreth një vit pas kësaj”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se modeli Lego ka të njëjtën kuti ingranazhi me shtatë shpejtësi, rrota, dyer dhe motor V8 si P1 i vërtetë.
Lego P1 është bërë duke përdorur 3800 pjesë ekzistuese Lego Technic, me vetëm tetë elemente të personalizuar të krijuara për modelin e ri – disa prej të cilëve rezultuan më të vështira për t’u dizajnuar se të tjerat.
Ndër ato pjesë unike janë rrotat e P1.
“Ato ishin shumë të ndërlikuara për t’u zhvilluar sepse duhej të ishin sa më afër të përsosurës”, tha Hansen.