Kriza në firmën “Volkswagen”, simptomë e rënies ekonomike në Gjermani

Auto

Kriza në firmën “Volkswagen”, simptomë e rënies ekonomike në Gjermani

Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 17:43
Volkswagen

Kompania ‘Volkswagen’ po planifikon të bëjë shkurtime masive, gjë që nxiti këtë javë një grevë të punonjësve të gjigandit gjerman të prodhimit të automjeteve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Berlini, Ricardo Marquina kriza e kompanisë “Volkswagen’ është simptoma e radhës e krizës së thelluar ekonomike në Gjermani, ekonomisë më të fuqishme të Bashkimit Evropian, që gjatë viteve të fundit është rënduar nga kostot e larta të energjisë, lufta në Ukrainë dhe konkurrenca nga Kina.

Punonjësit e gjigandit gjerman të makinave ‘Volkswagen’ lëshuan vendet e tyre të punës të hënën, në shenjë proteste ndaj shkurtimeve të propozuara të kompanisë për pagat dhe vendet e punës.

Analistët e shohin këtë si një tregues të rëndësishëm të krizës së thellë që ka mbërthyer ekonominë e Gjermanisë për shkak të çmimeve të larta të energjisë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe ndërprerja e furnizimit me gazin rus, që janë përkeqësuar edhe më shumë nga përpjekjet e Berlinit për të kaluar tek energjia e pastër dhe mbyllja e termocentraleve të fundit bërthamorë vitin e kaluar.

Punonjësit thonë se ata do të vazhdojnë të luftojnë për të mbrojtur vendet e tyre të punës.

“Është situatë shumë e vështirë: kompania po bën thirrje për mbylljen e disa fabrikave dhe largimin masiv të punonjësve dhe në të njëjtën kohë dëshiron të prekë thellë në xhepat e punonjësve”, thotë përfaqësuesi i sindikatës së punonjësve të “IG Metall”.

Kompania nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për koment për shkak të negociatave.

Analistët e industrisë thonë se kalimi tek makinat elektrike është një çështje e rëndësishme ndërkohë që prodhuesit gjermanë të makinave po përballen me vështirësi për të konkurruar me importet më të lira kineze, ndonëse Bashkimi Evropian ka vendosur tarifa ndaj makinave elektrike kineze.

Kostoja e lartë e prodhimit në Gjermani është një çështje tjetër e rëndësishme.

“Në Gjermani kemi sindikata të mëdha që kërkojnë rritje prej shtatë deri në dhjetë për qind të pagave. Nuk janë realiste. Ato duhet ta lejojnë industrinë të marrë frymë”, thotë analistja Beatrix Keim nga Qendra për Hulumtim të Industrisë Automobilistike.

Kthimi i Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe kërcënimet e tij se do të vendosë tarifa ndaj makinave të importuara po shqetëson prodhuesit gjermanë.

Por ‘Volkswagen’, krahas kompanive ‘Mercedes’ dhe ‘BMW’, kanë fabrika prodhimi në Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë shpresojnë që ky fakt do të forcojë pozicionin e tyre në negociatat me administratën e re amerikane.

“Industria gjermane e automobilave është shumë aktive në tregun amerikan. Duke patur këtë parasysh, mendoj që tarifat mund të jenë joproduktive si masë”, thotë përfaqësuesi i konglomeratit ‘VDA’, që përfaqëson markat më të rëndësishme gjermane të veturave.

Problemet në kompaninë Volkswagen janë vetëm njëra nga simptomat e një krize më të gjerë që ka shpërthyer në skenën politike gjermane. Shpërbërja e koalicionit qeverisës të Gjermanisë ka nxitur shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në muajin shkurt mes tensioneve rreth ekonomisë së dobësuar dhe rezultateve të zgjedhjeve rajonale të mbajtura së fundmi që tregojnë për fitoren e së djathtës së skajshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat