Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan po i bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare në Bejrut për të zbatuar armëpushimin e ndërmjetësuar së fundmi Hezbollah -Izrael , i cili hyri në fuqi më 26 nëntor.
Gjeneralmajori i Komandës Qendrore të Operacioneve Speciale (SOCCENT) Jasper Jeffers mbërriti të mërkurën, sipas Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM). Ai do të bashkëkryesojë misionin mbikëqyrës së bashku me të dërguarin e Presidentit Joe Biden, Amos Hochstein, i ngarkuar për monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit.
Ekipi monitorues i udhëhequr nga SHBA përfshinte përfaqësues nga Forcat e Armatosura Libaneze (LAF), ushtria izraelite, Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) dhe Franca. Hochstein do të shërbejë si bashkëkryetar civil derisa të emërohet një zyrtar i përhershëm, shtoi CENTCOM.
“Ky grup do të ndihmojë në monitorimin dhe zbatimin e ndërprerjes së armiqësive midis Izraelit dhe Libanit”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.
Armëpushimi shënon një hap vendimtar drejt uljes së tensioneve midis Hezbollahut dhe Izraelit, pas disa javësh të armiqësive ndërkufitare.