Rebelët sirianë avancojnë drejt Homsit

Azia

Rebelët sirianë avancojnë drejt Homsit

Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 13:56
Një luftëarë i grupeve rebele duke larguar një pikturë ku shfaqet presidenti Bashar al-Assad, dhe babai i tij i ndjerë, Hazef Assad. Alepo, 2 dhjetor 2024.

Rebelët në Siri është raportuar se kanë avancuar drejt qendrës së qytetit të Homsit më 7 dhjetor, teksa Rusia, Irani dhe Turqia po përgatiten që të takohen për të diskutuar sfidën më serioze me të cilën është përballur vitet e fundit sundimi autoritar i presidentit Bashar al-Assad.

Forcat qeveritare dhe aleatët e tyre rusë kanë vazhduar përpjekjet për të ndalur ofensivën e rebelëve drejt Homsit, i cili gjendet në një udhëkryq strategjik mes Damaskut dhe provincave bregdetare të Sirisë, Latakia dhe Tartus.

Rusia, trupat e të cilës mbështesin forcat e Assadit, raportohet se ka intensifikuar sulmet ajrore përreth Homsit, në një përpjekje të dukshme për të ndalur përparimin e rebelëve, raportoi Al-Arabiya, media në pronësi saudite. Ushtria siriane po ashtu raportohet se ka dërguar përforcime në Homs, sipas Al-Arabiya dhe Al-Jazeera.

Provinca Homs është provinca me territorin më të madh në Siri dhe gjendet pranë kufirit me Libanin, Irakun dhe Jordaninë. Qyteti po ashtu është shtëpi e një nga dy rafinerive shtetërore të naftës.

Ofensiva befasuese e rebelëve nisi javën e kaluar nga një koalicion i grupeve të rebelëve, që udhëhiqet nga fraksioni islamist, Hayat Tahrir al-Sham apo HTS.

HTS-ja është e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Përveç HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia mohon se mbështet ofensivën, edhe pse ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë me bazë në Britani – që monitoron luftën, tha se civilët po ikin nga Homsi drejt rajoneve bregdetare në Mesme, në Latakia dhe Tartus, që janë bastione të Qeverisë dhe vende ku gjenden baza ajrore dhe detare e Rusisë.

Më 6 dhjetor, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona mund të detyrohen të zhvendosen, teksa rebelët po avancojnë dhe po i shkaktojnë humbje Assadit, por edhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.

Assadi është varur nga Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet që kur shpërtheu konflikti më 2011.

Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata morën edhe një qytet tjetër të madh, teksa forcat e Asadit bënë pak rezistencë.

Përveç që morën Alepon në veri, Haman në Sirinë Qendrore dhe Deir al-Zorin në lindje, rebelët po ashtu më 6 dhjetor thanë se kanë marrë edhe Suveidan dhe Deran në jug, teksa kanë postuar video duke festuar marrjen e këtyre qyteteve.

Marrja e Deras dhe Suveidas në jug, mund t’i lejojë rebelëve që të përqendrojnë sulmin e tyre ndaj kryeqytetit, ku gjendet pushteti i Asadit, thanë burimet ushtarake.

Lideri i HTS-së, Abu Mohammad al-Golani, tha për CNN-in më 5 dhjetor se Qeveria e Assadit, që mbështetet nga Rusia dhe Irani, do të bjerë.

“Farat e humbjes së regjimit kanë qenë gjithmonë brenda tij”, tha ai. “Por, e vërteta është se ky regjim ka vdekur”.

Teksa rebelët po vazhdojnë avancimin e tyre, diplomatët nga Irani, Rusia dhe Turqia pritet të takohen më vonë gjatë 7 dhjetorit për të diskutuar për krizën./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat