Një fotografi e dëmtuar e Presidentit të rrëzuar sirian Bashar Al-Assad në dyshemenë e aeroportit ndërkombëtar në Qamishli, Siri, më 9 dhjetor, 2024/Reuters
Ndajeni
Print
Rrëzimi i Presidentit sirian Bashar al-Assad i dha një goditje të fuqishme rrjetit të ndikimit të Iranit në Lindjen e Mesme, por Shtetet e Bashkuara, vendet arabe dhe Izraeli tani mund të përballen me rrezikun e destabilizimit dhe ardhjen e forcave ekstremiste në krye të Sirisë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden e përshëndeti rrëzimin e Bashar al-Assadit duke e quajtur atë “një akt themelor të drejtësisë” për “një regjim që torturoi dhe vrau qindra mijëra sirianë të pafajshëm”, dhe rënien e tij ai e quajti një “moment historik për popullin e vuajtur sirian”. Por ai tha se ky është edhe një moment “rreziku dhe pasigurie”.
“Në ditët në vijim, Shtetet e Bashkuara fillimisht do të mbështesin fqinjët e Sirisë, Jordaninë, Libanin, Irakun dhe Izraelin në rast të ndonjë kërcënimi nga Siri gjatë kësaj periudhe tranzicioni”, deklaroi Presidenti Biden.
Grupi kryesor që i dha fund sundimit 50 vjeçar të familjes Assad në Siri, është organizata Hayat Tahrir al-Sham, një grup sunni që në të kaluarën ishte i lidhur me Al Kaidën, organizatën e shpallur terroriste nga qeveria amerikane dhe Kombet e Bashkuara.
Sipas diplomatëve dhe analistëve perëndimorë tani ekziston shqetësimi se kryengritësit mund të vendosin në pushtet një qeveri ekstremiste islamike, apo një qeveri që nuk do të mund t’u bëjë ballë forcave radikale në një vend si Siria të përbërë nga sekte dhe grupe të ndryshme etnike, ku secila prej tyre mbështetet nga një fuqi rajonale.
Ekspertët perëndimorë janë të shqetësuar se mungesa e rendit dhe ligjit në Siri do të mundësojë rikthimin e grupeve ekstremiste si ‘Shteti Islamik’, që në vitin 2014 pushtoi pjesë të mëdha të territorit të Sirisë dhe Irakut në përpjekje për të themeluar Kalifatin islamik, para se të dëboheshin nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump reagoi të dielën përmes një postimi në platformën e tij sociale:
“Assadi u largua. Ai braktisi vendin e tij. Mbrojtësi i tij, Rusia e Vladimir Putinit nuk ishte e interesuar ta mbronte më”, shkroi zoti Trump.
Një ditë më parë, zoti Trump kishte shkruar se: “Siria është rrëmujë. Por ky vend nuk është miku ynë dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të përfshihen. Kjo nuk është beteja jonë”.
Të dielën, forcat amerikane kryen disa sulme ajrore në Siri kundër pjesëtarëve të Shtetit Islamik për të parandaluar avancimin e tyre.
Aleatët e Assadit, Teherani dhe Moska, që e mbajtën atë në pushtet në 13 vitet e fundit përmes përkrahjes ushtarake, po ashtu reaguan ndaj situatës së re të krijuar në Siri.
Për Teheranin, rënia e Assadit është një humbje e madhe për ndikimin e tij në rajon, pasi i pamundëson Iranit që të vazhdojë armatosjen e grupeve militante, në veçanti Hezbollahut në Liban.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se Irani ishte befasuar siç tha ai nga “dështimi” i ushtrisë siriane për t’iu kundërpërgjigjur ofensivës.
“Po përcjellim zhvillimet për të parandaluar çështjet që na interesojnë. Ato përfshijnë mundësinë e një lufte të re civile apo një lufte mes fiseve të ndryshme dhe shpërbërjen e Sirisë, apo kolapsin e plotë të saj, që do ta shndërronte atë në qendër dhe vendstrehim për terroristët”, deklaroi ai.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi të hënën se Presidenti rus Putin personalisht mori vendimin për t’i ofruar azil Assadit dhe familjes së tij dhe tha se Moska po bënë hapat për të siguruar bazat ushtarake ruse në Siri.
Siria ishte baza kryesore e Moskës në Lindjen e Mesme. Baza detare në Siri ishte pika kryesore në Detin e Mesdheut përmes të cilës Rusia dërgonte njësitë e kontraktuara ushtarake në Afrikë.
Në fjalimin e tij para banorëve të mbledhur në qendër të Damaskut të dielën, udhëheqësi i kryengritësve në Siri, Abu Mohammed al-Golani u premtoi atyre një kapitull të ri për rajonin, në të cilin Siria do të shndërrohej në “shembullin e një shteti islamik”.
Ekspertët dhe diplomatët paralajmërojnë se përçarjet ndërmjet grupeve të ndryshme në Siri mund të përshkallëzojë në një konflikt të hapur siç kishte ndodhur në Libi pas rënies së Gaddafit apo Sadamit në Irak, me ndikim të thellë në Liban, Turqi, Irak dhe Jordani./VOA