Rrëzimi i Assadit nga pushteti, çfarë pritet të ndodhë në Siri

Azia

Rrëzimi i Assadit nga pushteti, çfarë pritet të ndodhë në Siri

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 17:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Rebelët sirianë deklaruan se kanë rrëzuar nga pushteti presidentin Bashar al-Assad pasi morën kontrollin e Damaskut të dielën, duke e detyruar atë të ikte dhe duke i dhënë fund sundimit autokratik të familjes së tij pas më shumë se 14 vitesh luftë civile. Rebelët i dhanë gjithashtu një goditje të madhe ndikimit të Rusisë dhe Iranit në Siri në zemër të rajonit - aleatë që kishin mbështetur al-Assadin gjatë periudhave kritike të konfliktit.

Sirianët dolën në rrugë të dielën duke festuar fundin e sundimit të hekurt 50 vjeçar të familjes Assad, pas një përparimi të befasishëm të rebelëve që në pak ditë arritën në kryeqytet duke ngritur tani pikëpyetje për të ardhmen e vendit dhe rajonit më të gjerë.

Turmat u mblodhën në sheshet qendrore të Damaskut duke valëvitur flamurin sirian, skena që ngjasonin me ditët e para të kryengritjes së Pranverës Arabe, përpara se të niste një shtypje brutale nga ana e qeverisë që e zhyti vendin në një luftë civile gati 14-vjeçare.

Të tjerë plaçkitën pallatin presidencial dhe rezidencën e familjes Assad pasi presidenti Bashar al-Assad dhe zyrtarë të tjerë të lartë u larguan nga vendi, ndërsa vendndodhja e tyre nuk dihet. Rusia, një aleate e ngushtë, tha se al-Assad u largua nga vendi pas negociatave me grupet rebele dhe kishte dhënë udhëzime për të transferuar pushtetin në mënyrë paqësore.

Televizioni shtetëror sirian transmetoi një deklaratë video herët të dielën nga një grup rebelësh duke thënë se al-Assad ishte rrëzuar nga pushteti dhe të gjithë të burgosurit ishin liruar. Ata u bënë thirrje njerëzve që të ruajnë institucionet e “shtetit të lirë sirian”.

Rebelët thanë se liruan personat e mbajtur në burgun famëkeq Saydnaya, ku grupet e të drejtave thonë se mijëra u torturuan dhe u vranë.

Komandanti rebel Anas Salkhadi, i cili u shfaq në televizionin shtetëror më vonë gjatë ditës, u përpoq të qetësonte pakicat fetare dhe etnike të Sirisë, duke thënë: “Siria është për të gjithë, pa përjashtime. Siria është për druzët, sunitët, alavitët dhe të gjitha sektet.”

Ndërsa sirianët po festonin, kryeministri Mohammad Ghazi al-Jalali bëri thirrje për zgjedhje të lira.

Jalali tha gjithashtu se kishte qenë në kontakt me drejtuesin e rebelëve, Abu Mohammed al-Golanin për të diskutuar mbi menaxhimin e periudhës së tranzicionit, duke shënuar një zhvillim të dukshëm në përpjekjet për të formësuar të ardhmen politike të Sirisë.

“Sinqerisht e them, isha i befasuar nga sa shpejt ndodhi. Nuk prisja që do të duheshin vetëm dhjetë ditë që, rebelët që u nisën nga Idlibi të mbërrinin në Damask. Por ishte lëvizje e madhe. Irani dhe Rusia janë dobësuar me këto zhvillime sepse al-Assadi ka qenë aleati kryesor për dekada. Unë mendoj për Rusinë, interesi është të mbajë një bazë në zemër të Lindjes së Mesme. Dhe kjo është arsyeja që unë parashikoj se Rusia është e hapur për një lloj negociatash me Golanin dhe me Turqinë. Irani mendoj se do ta ketë më të vështirë”, thotë Andre Banks- ekspert për Sirinë në Institutin Giga për Studimet e Lindjes së Mesme në Hamburg.

“Regjimi i al-Assadit ishte i kalbur nga brenda dhe i korruptuar, si një shtet mafioz. Kishte shumë pak besnikëri të vërtetë. Kështu që i gjithë ky sistem u mbajt i bashkuar nga frika. Dhe pastaj kemi natyrisht Rusinë. Ditët e fundit Rusia ka larguar anijet e saj nga baza ushtarake në Tartous. Gjithashtu, personeli i rangut të lartë ushtarak është larguar. Irani ka dhënë një lloj sigurie, por nuk po jepnin më ndihmë. Hezbollahu është dobësuar shumë dhe ishte tërhequr nga disa pozicione edhe rreth Alepos për shkak të luftës me Izraelin pas 7 tetorit. Të gjithë këta elementë sollën një dobësim të pushtetit të Assadit”, shprehet Carsten Wieland, ish-këshilltar i lartë i të dërguarit special të OKB-së në Siri.

Fundi i sundimit të al-Assadit i jep një goditje të madhe Iranit dhe aleatëve të tij, tashmë të dobësuar nga më shumë se një vit konflikt me Izraelin. Rebelët tani përballen me detyrën për të kapërcyer problemet e mëdha në një vend të shkatërruar nga lufta dhe ende të ndarë mes fraksioneve të ndryshme të armatosura.

Luftëtarët e opozitës të mbështetur nga Turqia po luftojnë me forcat kurde aleate të SHBA-së në veri dhe grupi i Shtetit Islamik është ende aktiv në disa zona të largëta.

Rebelët udhëhiqen nga grupi Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, i cili e ka origjinën në al-Kaida dhe konsiderohet një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.

Abu Mohammed al-Golani, një ish komandant i Al-Kaidës, i cili ndërpreu lidhjet me grupin vite më parë thotë se është pro pluralizmit dhe tolerancës fetare, si dhe udhëheq fraksionin më të madh rebel ndërsa është i gatshëm të punojë për drejtimin e ardhshëm të vendit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat