Presidenti sirian Bashar Assad u largua nga vendi të dielën, një fund dramatik i luftës së tij gati 14-vjeçare për të mbajtur pushtetin, ndërsa vendi i tij u dërrmua nga një luftë brutale civile që u kthye në një fushë beteje për fuqitë rajonale dhe ndërkombëtare.
Largimi i al-Assadit ishte në kontrast të plotë me muajt e tij të parë si president i fuqishëm i Sirisë në vitin 2000, kur shumë shpresonin se ai do të ishte një reformator pas tre dekadash të kontrollit të hekurt të babait të tij.
Vetëm 34 vjeç në atë kohë, okulisti i arsimuar në Perëndim ishte i apasionuar pas kompjuterëve dhe një njohës i mirë i teknologjisë, me një temperament të butë.
Por kur u përball me protesta kundër sundimit të tij që shpërthyen në mars 2011, Assad iu rikthye taktikave brutale të babait të tij në një përpjekje për të shtypur kundërshtarët. Ndërsa kryengritja u shndërrua në një luftë civile, ai nxorri ushtrinë në qytetet e kontrolluara nga opozita, me mbështetjen e aleatëve të tij: Iranit dhe Rusisë.
Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe prokurorët e akuzuan regjimin e al-Assadit për përdorim të gjerë të torturës dhe vrasjeve pa proces gjyqësor në qendrat e paraburgimit të drejtuara nga qeveria e Sirisë. Lufta ka shkaktuar vdekjen e gjysmë milioni njerëzve dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë prej 23 milionësh të paraluftës të vendit.
Konflikti dukej se ishte ngrirë në vitet e fundit dhe qeveria e al-Assadit rifitoi kontrollin e pjesës më të madhe të territorit të Sirisë, ndërsa veriperëndimi mbeti nën kontrollin e grupeve opozitare dhe verilindja nën kontrollin kurd.
Ndonëse Damasku mbeti nën sanksione paralizuese perëndimore, vendet fqinje kishin filluar të pranonin realitetin e mbajtjes së vazhdueshme të pushtetit nga al-Assadi. Lidhja Arabe e pranoi përsëri si anëtare Sirinë vitin e kaluar dhe Arabia Saudite në maj njoftoi emërimin e ambasadorit të saj të parë që nga ndërprerja e marrëdhënieve me Damaskun 12 vjet më parë.
Megjithatë, realiteti gjeopolitik ndryshoi me shpejtësi kur grupet opozitare në Sirinë veriperëndimore në fund të nëntorit ndërmorën një ofensivë të befasishme. Forcat qeveritare kapitulluan me shpejtësi ndërsa aleatët e al-Assadit, të përfshirë në konflikte të tjera - lufta e Rusisë në Ukrainë dhe luftërat njëvjeçare midis Izraelit dhe grupeve militante të mbështetur nga Irani, Hezbollah dhe Hamas – nuk dukeshin të gatshëm të ndërhynin me forcë.
Fundi i sundimit të familjes Assad
Al-Assad erdhi në pushtet në vitin 2000 në një kthesë të fatit. Babai i tij kishte përgatitur vëllain më të madh të Basharit, Basilin, si pasardhësin e tij, por në vitin 1994, Basili u vra në një aksident automobilistik në Damask. Familja e solli Basharin nga Londra ku ai kishte një klinikë për sytë. Ai iu nënshtrua stërvitjes ushtarake dhe mori gradën e kolonelit për të pëmbushur kredencialet që një ditë të mund të merrte pushtetin. Kur Hafez al-Assad vdiq në vitin 2000, parlamenti uli me shpejtësi moshën minimale për presidentët nga 40 në 34. Ngritja e Basharit në postin e presidentit u çimentua nga një referendum kombëtar, në të cilin ai ishte i vetmi kandidat.
Hafez, një ushtarak, sundoi vendin për gati 30 vjet gjatë të cilave krijoi një ekonomi të centralizuar të stilit sovjetik dhe përdori një grusht aq rë hekurt ndaj kundërshtarëve sa sirianët kishin frikë edhe të bënin shaka për politikë me miqtë e tyre. Ai ndoqi një ideologji laike që kërkonte të eliminonte dallimet sektare, duke e vënë theksin tek nacionalizmi arab dhe imazhi i rezistencës heroike ndaj Izraelit. Ai formoi një aleancë me udhëheqjen klerikale shiite në Iran, konsolidoi dominimin sirian mbi Libanin dhe ngriti një rrjet grupesh militante palestineze dhe libaneze.
Bashari fillimisht dukej krejtësisht ndryshe nga babai i tij i ashpër. I gjatë dhe i dobët, ai kishte një natyrë të qetë dhe të butë. Pozicioni i tij i vetëm zyrtar përpara se të bëhej president ishte si kreu i Shoqërisë Siriane të Kompjuterëve.
Gruaja e tij, Asma al-Akhras, me të cilën u martua disa muaj pas marrjes së detyrës, ishte tërheqëse, me stil dhe me origjinë britanike. Çifti i ri, i cili pati tre fëmijë, dukej se shmangte luksin e pushtetit. Ata jetonin në një apartament në lagjen e pasur Abu Rummaneh të Damaskut dhe jo në një pallat madhështor si udhëheqësit e tjerë arabë.
Fillimisht kur mori detyrën, al-Assad liroi të burgosurit politikë dhe lejoi lirinë e shprehjes. Gjatë "Pranverës së Damaskut", intelektualët e vendit mblidheshin për të diskutuar për artin, kulturën dhe politikën gjë, që ishte e pamundur nën kohën e babait të tij. Por pasi 1000 intelektualë nënshkruan një peticion publik duke bërë thirrje për demokraci pluraliste dhe liri më të mëdha në vitin 2001, dhe një grup u përpoq të formonte një parti politike, këto aktivitete u ndaluan nga policia e frikshme sekrete që burgosi dhjetëra aktivistë.
Përballë Pranverës Arabe, al-Assad u mbështet tek aleancat e vjetra për të mbajtur pushtetin
Në vend që të lejonte hapjen politike, al-Assad ndoqi rrugën e reformave ekonomike. Ai hoqi ngadalë kufizimet ekonomike, lejoi hapjen e bankave të huaja, u hapi dyert importeve dhe fuqizoi sektorin privat. Në Damask dhe qytete të tjera që ishin zhytur prej kohësh në mjerim, pati një bum qendrash tregtare, restorantesh të reja dhe mallrash konsumi. Turizmi u rrit. Në politikën e jashtme, ai vazhdoi linjën që kishte ndjekur i ati, bazuar në aleancën me Iranin dhe një politikë të ngulmimit për një kthim të plotë të Lartësive Golan të aneksuar nga Izraeli, megjithëse në praktikë al-Assad nuk u përball kurrë ushtarakisht me Izraelin.
Në vitin 2005, ai pësoi një disfatë të thellë me humbjen e kontrollit dhjetëvjeçar të Sirisë mbi Libanin fqinj pas vrasjes së ish-kryeministrit Rafik Hariri. Shumë libanezë akuzonin Damaskun se qëndronte pas vrasjes dhe Siria u detyrua të tërhiqte trupat e saj nga vendi ku një qeveri pro-amerikane erdhi në pushtet.
Luftëtar rebel
Në të njëjtën kohë, bota arabe u nda në dy kampe – njëri i përbërë nga vendet aleate të SHBA-së, të udhëhequra nga sunitët si Arabia Saudite dhe Egjipti, tjetri ku bënin pjesë Siria dhe Irani i udhëhequr nga shiitët me lidhje me Hezbollahun dhe militantët palestinezë.
Gjatë gjithë kohës, al-Assad u mbështet përgjithësisht tek e njëjta bazë si babai i tij: sekti i tij alavit, një degë e Islamit shiit që përbën rreth 10% të popullsisë. Shumë nga postet në qeverinë e tij iu dhanë brezave të rinj të të njëjtave familje që kishin punuar për babain e tij. Po ashtu ai përfshiu anëtarët e klasës së re të mesme të krijuar nga reformat e tij, përfshirë familje të shquara tregtare sunite.
Al-Assad gjithashtu u mbështet tek familja e tij. Vëllai i tij më i vogël Maher drejtonte Gardën elitare Presidenciale dhe ishte në krye të goditjes kundër kryengritjes. Motra e tyre Bushra ishte një zë i fortë në rrethin e tij të ngushtë, së bashku me bashkëshortin e saj, zëvendësministrin e Mbrojtjes Assef Shawkat, derisa ai u vra në një bombardim të vitit 2012. Kushëriri i Basharit, Rami Makhlouf, u bë biznesmeni më i madh i vendit, duke drejtuar një perandori financiare përpara një mosmarrëveshjeje që çoi në largimin e Makhloufit.
Al-Assadi gjithashtu i kishte besuar gjithnjë e më shumë role kyçe gruas së tij, Asma, përpara se ajo të njoftonte në maj se po i nënshtrohej trajtimit për leuçeminë dhe të largohej nga skena publike.
Kur shpërthyen protestat në Tunizi dhe Egjipt në vitin 2011, duke rrëzuar përfundimisht sundimtarët e tyre, al-Assadi mohoi se ekzistonte mundësia që e njëjta gjë të ndodhte në vendin e tij, duke këmbëngulur se regjimi i tij ishte në harmoni me popullin e tij.
Pasi Pranverës Arabe mbërriti në Siri, forcat e tij të sigurisë organizuan një goditje brutale, ndërsa al-Assad vazhdimisht mohoi se po përballej me një revoltë popullore. Ai fajësoi "terroristët e mbështetur nga jashtë" se po përpiqeshin të destabilizonin regjimin e tij.
Retorika e tij u mirëprit në shumë nga grupet pakicë të Sirisë – përfshirë të krishterët, druzët dhe shiitët – si dhe disa suni që i frikësoheshin perspektivës së sundimit nga ekstremistët sunitë edhe më shumë sesa sundimit autoritar të al-Assadit.
Ndërsa kryengritja u shndërrua në një luftë civile, miliona sirianë u larguan në Jordani, Turqi, Irak dhe Liban dhe në Evropë. Ishte ironike se si më 26 shkurt 2011, dy ditë pas rrëzimit nga pushteti të Hosni Mubarakut të Egjiptit nga protestuesit dhe vetëm disa ditë para se vala e protestave të Pranverës Arabe të përfshinte vendin e tij, al-Assad dërgoi një e-mail ku vinte në lojë refuzimin kokëfortë të udhëheqësit egjiptian për të dhënë dorëheqjen.