Ka pasur pak lotë të derdhur për regjimin e Asadit. Presidenti Macron i Francës tha se një shtet barbar kishte rënë.
Kancelari Scholz i Gjermanisë tha se populli sirian kishte vuajtur tmerrësisht dhe fundi i Asadit ishte një lajm i mirë. Por, kjo kënaqësi u tejkalua nga shqetësimi për atë që mund të vinte më pas.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, tha se ishte një moment vetëm i "shpresës së kujdesshme" dhe theksoi nevojën për një tranzicion të qëndrueshëm.
Vendet arabe të Gjirit – të cilat kishin riparuar marrëdhëniet me Assadin në vitet e fundit – e shikonin me nervozizëm perspektivën e një Sirie të udhëhequr nga islamistët, raporton BBC, transmeton "Bota sot".
Ministria e Jashtme e Katarit shprehu "shqetësim të madh" dhe bëri thirrje që uniteti i Sirisë të mbrohet.
Një diplomat i lartë i Emirateve, Anwar Gargash, shpresonte se grupet e ndryshme atje mund të punonin së bashku.
Vendet me interes të drejtpërdrejtë theksuan vazhdimësinë.
SHBA ka forca ushtarake në Sirinë lindore dhe një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se ata do të mbeten atje për të luftuar grupin e Shtetit Islamik, i cili, pranoi ai, mund të shfrytëzojë kaosin për të rritur operacionet e tij.
Turqia pret më shumë se tre milionë refugjatë sirianë dhe ministri i jashtëm i vendit, Hakan Fidan, tha se ata tani mund të kthehen në shtëpi.
Ai tha gjithashtu se Turqia do të vazhdojë të luftojë grupet kurde në Siri që vendi i tij i cilëson si terroristë.
Sa i përket aleatëve të Asadit, Rusisë dhe Iranit, shefja e punëve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se të dy ishin të dobësuar. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se dy objektet e saj ushtarake në Siri ishin në gatishmëri të lartë, por nuk kishte asnjë kërcënim serioz.
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump tha se rënia e Asadit nënkuptonte se presidenti Putin duhet të binte dakord për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.
Irani - i cili ka humbur lidhjen e tij territoriale me Hezbollahun në Liban - tha, pa ironi, populli sirian duhet të përcaktojë të ardhmen e tij "pa asnjë ndërhyrje shkatërruese apo imponim të jashtëm".