TAIPEI, TAJVAN – Zyrtarët e mbrojtjes në Tajvan thonë se Kina ka dislokuar rreth 90 anije të marinës dhe rojës bregdetare në ujërat që shtrihen nga ishujt në jug të Japonisë e deri tek Deti i Kinës së Jugut. Ky është dislokimi më i madh në ujërat rajonale në tre dekadat e fundit, thonë zyrtarët tajvanezë dhe ai i ngjan një stërvitjeje ushtarake.
Kina ende nuk i ka komentuar lëvizjet dhe as nuk i ka konfirmuar stërvitjet.
Gjatë një konferencë të rregullt për mediat të martën, zyrtarët tajvanezë të mbrojtjes thanë se operacioni i Pekinit jo vetëm që po vendos në objektiv Tajvanin, por ka për qëllim që të demonstrojë aftësinë e Kinës për të parandaluar vendet në rajon, përfshirë Japoninë dhe Filipinet, që t’i vinë në ndihmë për ta mbrojtur ishullin.
“Shkalla aktuale është më e madhja, krahasuar me katër stërvitjet luftarake të Kinës në të kaluarën”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit, Sun Li-fang gjatë konferencës me gazetarë. Kina pretendon se Tajvani, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, është pjesë e territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar mundësinë që të përdorë forcën për të arritur synimin e saj të bashkimit me ishullin. Ideja e bashkimit me Kinën autoritare përkrahet shumë pak në Tajvan.
Zëdhënësi Sun tha se stërvitjet ishin më të mëdhatë që nga viti 1996, kur stërvitje luftarake u mbajtën përreth ishullit si kundërpërgjigje ndaj zgjedhjeve të para presidenciale në Tajvan.
Zyrtari i lartë për zbulimin pranë Ministrisë tajvaneze të Mbrojtjes, Hsieh Jih-sheng u tha gazetarëve gjatë të njëjtës konferencë se ky dislokim më i gjerë detar i Kinës synon të bllokojë përforcimet nga Japonia dhe Filipinet që t’i vinë në ndihmë Tajvanit në rast të një sulmi të mundshëm kinez ndaj ishullit.
Krahas përgatitjes së kapaciteteve për të pamundësuar qasjen përreth ishullit në një perimetër të gjerë, Ministria tajvaneze e Mbrojtjes tha se Kina po ashtu po krijon dy “mure” në pjesën perëndimore të Paqësorit, duke dislokuar një numër të madh të anijeve në pjesën lindore që përkufizohet me Zonën tajvaneze të Mbrojtjes Ajrore dhe një zone tjetër më në thellësi të Paqësorit.
Zonat e mbrojtjes ajrore përcaktohen njëanshëm nga forcat e mbrojtjes ajrore të vendeve dhe nuk janë përcaktuar nga marrëveshjet apo ligjet ndërkombëtare.
“Përmes këtyre dy mureve, ata po dërgojnë një mesazh të qartë: Ngushtica e Tajvanit është pjesë e ujërave të brendshme dhe çështjet që kanë të bëjnë me të duhet të menaxhohen nga Ushtria Popullore Çlirimtare dhe Republika Popullore e Kinës”, deklaroi zyrtari tajvanez Hsieh.
Tajvani po përgatitej për një stërvitje të mundshme ushtarake kineze përreth ishullit që kur Presidenti Lai Ching-te filloi vizitën e tij të parë jashtë vendit në rajonin e Paqësorit, e cila përfshiu vizita në territorin amerikan Guam dhe në Hawaii, më 30 nëntor.
Përgjatë kësaj vizite, Taipei vazhdimisht paralajmëroi se Kina mund të fillojë një seri të re stërvitjesh ushtarake në afërsi të ishullit dhe nxiti Pekinin të mos “dërgojë sinjale të gabuara”.
I pyetur për lëvizjet e anijeve kineze të hënën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning, nuk dha detaje të tjera.
“Çështja e Tajvanit është çështje e brendshme e Kinës. Kina do ta mbrojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, deklaroi ajo gjatë konferencës së rregullt me gazetarë.
Një analist kinez, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha Zërit të Amerikës se është e vështirë të thuhet përse Pekini nuk ka deklaruar publikisht ndonjë operacion detar përreth Tajvanit.
J. Michael Cole, bashkëpunëtor në Institutin Global me seli në Taipei, tha se duke mos njoftuar mbi operacionet e planifikuara ushtarake, Pekini mund të dëshirojë “ta lërë palën tajvaneze duke hamendësuar” rreth situatës në terren.
“Pekini mund të dëshirojë të jetë më pak i parashikueshëm se sa ka qenë në të kaluarën”, i tha ai Zërit të Amerikës në komentet e dërguara me shkrim.
Stephen Nagy, profesor në Universitetin Ndërkombëtar të Krishterë të Tokios, tha se kjo paqartësi e bën të vështirë për Tajvanin dhe vendet e rajonit t'u përgjigjen operacioneve ushtarake kineze.
“Paqartësia krijon sfida për Tajvanin dhe palët e interesuara, si Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet, për të ditur se çfarë po bëjnë kinezët dhe cila është mënyra më e mirë për t'u përgjigjur”, i tha ai Zërit të Amerikës në një intervistë telefonike.
Pavarësisht mungesës së qartësisë nga Pekini, zoti Cole nga Instituti Global në Taipei tha se përpjekjet aktive të qeverisë tajvaneze për të zbuluar aktivitetet ushtarake kineze në rajon ndihmojnë për të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj kërcënimeve dhe trysnisë kineze me të cilat përballet Tajvani.
“Një diplomaci e tillë publike e bën kërcënimin më të dukshëm dhe e kthen një koncept abstrakt në diçka që është reale”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Të hënën, Tajvani nisi një seri stërvitjesh të gatishmërisë për luftë në pozicione strategjike në të gjithë ishullin dhe publikoi informacione rreth operacioneve të paparalajmëruara ushtarake kineze.
“Duke zbuluar me shpejtësi operacionet ushtarake kineze në rajon dhe duke nisur kundërmasat e veta, Tajvani po përpiqet të pengojë Kinën nga përshkallëzimi i mëtejshëm i aktiviteteve të saj ushtarake rreth ishullit”, i tha Zërit të Amerikës me telefon Su Tzu-yun, ekspert ushtarak në Institutin për Mbrojtjen Kombëtare me seli në Taipei.
Ndërsa Tajvani ka miratuar disa masa në përgjigje, disa analistë thonë se Pekini gjithashtu po kthen në “rutinë” agresionin e tij kundër Taipeit duke mbajtur një prani të vazhdueshme ushtarake në të gjithë rajonin.
“Ushtria Çlirimtare Popullore dhe roja bregdetare kineze janë aq të mëdha sa mund të mbajnë një prani të vazhdueshme pranë Japonisë, Filipineve dhe Tajvanit, në të njëjtën kohë”, thotë Drew Thompson, nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare ‘S. Rajaratnam’, në Singapor dhe ish-zyrtar i Pentagonit.
“Operatorët ushtarakë mund ta kenë të vështirë të dallojnë se një sulm po ndodh me të vërtetë, kur çdo ditë duket si një sulm”, i tha ai Zërit të Amerikës me telefon.
Profesori Nagy nga Japonia thotë se ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për një ndryshim në administratë gjatë javëve të ardhshme, ai pret që Kina të rrisë trysninë ndaj Tajvanit./VOA