Kasafortat e Bankës Qendrore të Sirisë mbetën të paprekura nga grabitësit gjatë trazirave që pasuan rrëzimin të Bashar al-Assad, kur rebelët sirianë morën Damaskun pa hasur në rezistencë. Ndërkohë lideri Assad dyshohet se është arratisur në Rusi.
Bassel Hamawi, kreu i Dhomave të Tregtisë të Damaskut, tha se grabitësit kishin vjedhur disa para, por kasaforta kryesore mbeti e paprekur.
Banka Qendrore nuk ka raportuar të dhëna mbi rezervat për më shumë se një dekadë dhe nuk është e qartë sa para ka në dispozicion.
Dy burime të tjera konfirmuan se grabitësit nuk depërtuan në kasafortën kryesore. Rezervat e Bankës Qendrore, përfshirë arin, ishin të ruajtura dhe guvernatori i bankës, Issam Hazima, ishte ende në punë.
Pas dorëzimit të forcave të regjimit, punonjësit u kthyen në punë dhe shprehën shpresë për një fillim të ri.