Mijëra refugjatë sirianë po kthehen në Siri nga Libani dhe Turqia

Azia

Mijëra refugjatë sirianë po kthehen në Siri nga Libani dhe Turqia

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 16:53
Refugjatët sirianë që jetojnë në Turqi presin në radhë tek kalimi kufitar në mes Turqisë dhe Sirisë për t'u kthyer në Siri më 9 dhjetor, 2024

Mijëra sirianë të zhvendosur, që u strehuan në Liban dhe Turqi, vazhdojnë të kthehen në shtëpitë e tyre në Siri. Qindra automjete, shumë prej tyre të ngarkuara me sende personale, formonin sot radhë të gjata nëpër kalimet kufitare ndërmjet Libanit dhe Sirisë. Disa prej të zhvendosurve e kaluan kufirin në këmbë.

Skena të ngjashme të refugjatëve sirianë duke u kthyer në shtëpitë e tyre vetëm disa ditë pas rënies së Bashar al Assadit u panë edhe në Turqi, ku 3 milionë sirianë gjetën strehim në dekadën e fundit.

Rënia e qeverisë autoritare të Sirisë dhe marrja e pushtetit nga kryengritësit para disa ditësh fundit u prit me festë, frikë dhe alarm nëpër botë.

Bashar al Assadi braktisi Sirinë të dielën, duke i dhënë fund dramatik betejës së tij 14 vjeçare për të mbajtur pushtetin dhe për të vendosur kontrollin ndaj vendit të përçarë nga lufta civile, që ishte bërë fushëbetejë e grupeve të lidhura me fuqitë rajonale dhe ndërkombëtare.

Sirianët e zhvendosur gjatë kësaj dekade dhe banorët e Lindjes së Mesme po festojnë rrëzimin e Assadit dhe pushtetit të tij, që gjatë këtyre 14 viteve të luftës civile shkaktoi vdekjen e gjysmë milioni sirianëve dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve.

Por rënia e tij po përcillet edhe me shqetësime në një rajon që tashmë është i mbërthyer në trazira.

Zyrtarët në Turqi dhe Liban thonë se nuk i dinë shifrat e sakta të refugjatëve sirianë që janë kthyer në Siri gjatë ditëve të fundit, por Turqia njoftoi se gjatë ditëve në vijim do të hapë një kalim të tretë kufitar për të përballuar kthimin vullnetar të tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat