“Ushtria ia mbathi”, si Bashar al-Assad humbi kontrollin në Siri/ Mister fati i mbi 100 mijë të burgosurve

Azia

“Ushtria ia mbathi”, si Bashar al-Assad humbi kontrollin në Siri/ Mister fati i mbi 100 mijë të burgosurve

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 07:57
Foto ilustrim

Një muaj më parë, gjatë një takimi në Bejrut, një diplomat i lartë perëndimor po shprehte zhgënjimin e tij: kur do të hiqen sanksionet ndërkombëtare ndaj presidenti sirian, Bashar al-Assad ?

Megjithëse diktatori kishte pak miq, dukej se vrasjet brutale dhe torturimi i qindra mijëra protestuesve kishte arritur të shtypte përfundimisht revolucionin 13-vjeçar të Sirisë.

Është koha për t’u përballur me faktet, tha diplomati. Assad e kishte fituar luftën dhe bota duhej ta pranonte.

Ndërsa diplomatët në Bejrut flisnin, rebelët në Siri po planifikonin. Një vit më parë, figura të grupit opozitar islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) në veriperëndim të Sirisë u kishte dërguar një mesazh rebelëve në jug: bëhuni gati.

Më 29 nëntor, forcat rebele të udhëhequra nga HTS pushtuan një numër qytetesh në periferi të qytetit Aleppo, në veriperëndim të vendit, fitorja e parë e rebelëve mbi regjimin e Asadit në 5 vjet.

Duke parë nga Damasku, Mohammedi, një shofer furgoni, tha se sapo HTS mori ato qytetet e para, ai e dinte se çfarë po vinte.

“Që në momentin e parë, e kuptova se regjimi do të binte”, tha ai ndërsa kalonte me makinë nëpër postblloqe, ndërsa devijoi rrugën për të shmangur tanket e braktisura që kishin mbushur autostradën që të çonte në Damask, më pak se një ditë pas rënies së Asadit.

Rebelët që luftonin në vijën e frontit nuk ishin aq të sigurt. “Linja e parë e mbrojtjes luftoi shumë. Ata përbëheshin nga Hezbollahu dhe luftëtarë të mbështetur nga Irani dhe ata rezistuan fort”, tha Abu Bilal, një rebel që luftoi përkrah HTS në Sirinë veriperëndimore. Megjithatë, shtoi ai, sapo depërtuan në vijën e parë të mbrojtjes, “ushtria ia mbathi”.

Përparimi i rebelëve fillimisht u prit me heshtje nga Damasku. Më pas, Ministria e Mbrojtjes foli për një tërheqje taktike të krijuar për të kursyer jetën e civilëve.

Njëri pas tjetrit, qytetet e mbajtura nga forcat e Asadit ranë në duart e opozitës. Fillimisht, ata hynë në Alepo, të cilit qeveria siriane i kishte marrë katër vjet për të hequr kontrollin e opozitës në vitin 2016. Më pas, katër ditë më vonë, ata morën Hamën, ku babai i Asadit, Hafez, kishte shtypur një kryengritje në vitin 1982, duke vrarë 40,000 njerëz. Më në fund, ata u përgatitën për betejën e Homsit – ku regjimi duhej të bënte qëndresën e fundit. Rebelët pushtuan qytetin brenda disa orësh.

“Djemtë tanë duhej të prisnin derisa Homs të binte para se të hynin në betejë – por sapo panë luftëtarët që po i afroheshin qytetit, unë nuk mund t’i kontrolloja më dhe të gjithë morën armët”, tha Abu Hamzeh, një komandant rebel nga Dhoma e Operacioneve për Çlirimin e Damaskut.

Dhoma e Operacioneve mblodhi krerët e 25 fraksioneve të opozitës në tre provinca jugore. Ajo u formua një vit më parë me ndihmën e HTS dhe u vuri rregull mbi fraksionet e ndryshme në Sirinë jugore. Udhëheqësit e fraksioneve do të komunikonin me njëri-tjetrin në një grup WhatsApp.

Luftëtarët në jug duhej të prisnin derisa rebelët në veri të merrnin Homsin, në mënyrë që të dy grupet të mund t’i afroheshin Damaskut në të njëjtën kohë. Grupet rebele dhanë deklarata duke inkurajuar ushtarët sirianë të dorëzonin armët dhe të njoftonin te numri i telefonit që ishte vendosur. “Kam marrë 5,000 telefonata të shtunën në mbrëmje nga ushtarë që donin të dorëzoheshin – shumë prej tyre thanë se familja e tyre po i kërkonte të dorëzoheshin”, tha Abu Hamzeh.

Së shpejti, luftëtarët po marshonin drejt Damaskut. Asnjë deklaratë nuk erdhi nga Assadi dhe megjithëse media shtetërore këmbënguli se ai po punonte me zell në zyrën e tij, ai nuk ishte parë prej disa ditësh. Ushtarët mbetën pa udhëheqës.

“Isha i vetmi që mbeta në kazerma, të gjithë të tjerët ishin larguar”, tha Ziad Soof, një gjeneral i ushtrisë siriane që ishte vendosur në al-Nabek, fshat jashtë Damaskut, të shtunën mbrëma. Ai qëndroi në stacionin e tij deri në dy të mëngjesit, kur një grup kalimtarësh i thanë atij se Assad kishte ikur nga vendi. Soof, një veteran i ushtrisë, hoqi uniformën dhe u largua.

“Kam ecur tre orë derisa arrita në Damask”, tha Soof duke shtuar “gjithë rrugën, gjithçka që ndjeja ishte zhgënjim. Nëse ai do të kishte thënë diçka, nëse do të kishte shpallur një transferim të pushtetit – do të kishte qenë ndryshe, por ai sapo u largua”.

Sirianët u zgjuan në një vend të ri dhe një realitet të ri të dielën në mëngjes. “Është sikur po jetojmë në një ëndërr” – fraza u përsërit vazhdimisht nga banorët e kryeqytetit të vendit. Në sheshin Omayyad në qendër të Sirisë, turma filloi të formohej, duke brohoritur dhe duke ngritur flamurin revolucionar. Rebelët ngritën pushkët e tyre, duke qëlluar në një kakofoni shurdhuese që do të vazhdonte për ditë të tëra dhe e lanë Damaskun të mbushur me gëzhoja plumbash.

Kjo ishte një fitore 13-vjeçare, e cila erdhi pasi protestat paqësore u pritën me plumba nga regjimi, ndërsa opozita mori armët. Fitorja u kishte kushtuar sirianëve të paktën 350,000 jetë.

Megjithëse Assad kishte ikur, barra e trashëgimisë së tij brutale mbeti. Ndërsa rebelët përparuan, ata hapën burgje ku mbaheshin dhjetëra mijëra sirianë.

Familjarët shkuan nëpër burgje, duke kërkuar të dashurit e tyre. Në burgun Sednaya të dielën mbrëma, një varg kilometrik makinash u formua ndërsa dhjetëra mijëra njerëz mbërritën nga i gjithë vendi për të parë nëse të afërmit e tyre të zhdukur ishin atje.

Duke shpërfillur kërkesën e luftëtarëve, njerëzit u futën në burg dhe kërkuan në kompleksin masiv të mbiquajtur “Thertorja e njerëzve”. Turmat hynin dhe dilnin nga qelitë, duke krijuar dritë me telefonat e tyre.

Pothuajse të gjithë të burgosurit ishin liruar nga Sednaya më herët gjatë ditës. Por gjithsesi, njerëzit kërkuan, të bindur se duhet të kishte ndonjë objekt të fshehur, ndonjë derë që, nëse hapej, do të zbulonte njerëzit që regjimi i Asadit u kishte marrë vite më parë.

Në fund, rreth 30,000 njerëz u liruan nga burgjet në të gjithë vendin, tha Fadel Abdulghani, drejtor i Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut – duke lënë më shumë se 100,000 të burgosur të pagjetur.

Duke mos dashur të besonin, familjet vazhduan të kërkonin, duke gërmuar edhe tokën në mjediset e burgut, duke kërkuar edhe ndihmë përmes internetit se ku mund të ndodheshin qelitë sekrete. Katër ditë pasi burgjet u hapën në të gjithë vendin, vetëm disa persona ishin gjetur, ndërsa mbetet mister fati i 100 mijë të zhdukurve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat