Mijëra banorë në panik janë detyruar të evakuohen pasi një zjarr pyjor në Japoninë verilindore dëmtoi ndërtesat dhe nxiti mobilizimin e helikopterëve ushtarak për të shuar zjarrin e furishëm.
Pamjet ajrore nga transmetuesi publik NHK tregonin një helikopter duke hedhur ujë në një nga lokacionet e shumta në zonat pyjore të qytetit Ofunato në prefekturën Iwate në përpjekje për të shuar zjarrin, transmeton Anadolu.
Zjarri deri më tani ka djegur 84 ndërtesa dhe ka detyruar rreth 2 mijë banorë të evakuohen.
Ekipet e shpëtimit gjetën një trup të djegur në zonë, ndërsa policia po heton lidhjen e mundshme me zjarrin.
Kryebashkiaku i qytetit Ofunato, Kiyoshi Fuchigami, e përshkroi zjarrin si në një "shkallë të gjerë", duke theksuar se erërat e fuqishme nga perëndimi ndihmuan në përhapjen e një sërë zjarresh më të vogla në të njëjtën zonë.
Deri më tani janë djegur rreth 600 hektarë tokë.
Më parë, në qytetin Ofunato më 19 shkurt shpërtheu një zjarr pyjor dhe u shua kryesisht deri të martën.
Një zjarr i dytë ndodhi në qytetin fqinj Rikuzentakata, por u vu nën kontroll mesditën e djeshme. Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur.
Japonia në vitin 2023 regjistroi rreth 1.300 zjarre.