“Nuk pati as kohë për CPR” | Mjekët iranianë përshkruajnë situatën dramatike në spitalet e mbingarkuara nga protestat
Stafi i tre spitaleve në Iran i ka thënë BBC-së se strukturat e tyre janë të mbingarkuara me pacientë të vdekur ose të plagosur, ndërsa protestat e mëdha kundër qeverisë vazhdojnë.
Një mjek në një spital të Teheranit tha se kishte “të shtëna direkte në kokat e të rinjve, edhe në zemrat e tyre”, ndërsa një tjetër mjek deklaroi se një spital okulistik në kryeqytet kishte hyrë në gjendje krize.
Dy punonjës shëndetësorë që folën për BBC-në thanë se kishin trajtuar plagë nga plumba të vërtetë, ashtu edhe nga fishekë.
Të premten, SHBA-të përsëritën se vrasja e protestuesve do të përballej me një përgjigje ushtarake. Irani akuzoi SHBA-të për kthimin e protestave paqësore në “akte subversive të dhunshme dhe vandalizëm të përhapur”.
Presidenti Trump reagoi në rrjetet sociale: “Irani po shikon LIRINË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-të janë gati të ndihmojnë!!!”
Protestat nisën në kryeqytetin Teheran dy javë më parë për shkak të vështirësive ekonomike. Që atëherë janë përhapur në mbi 100 qytete e fshatra në të gjitha provincat e Iranit. Monitoruesit e të drejtave të njeriut thonë se dhjetëra protestues janë vrarë dhe qindra janë arrestuar, ndërsa raportohet se 21 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë gjithashtu.
BBC dhe shumica e mediave ndërkombëtare janë të ndaluara të raportojnë brenda Iranit, dhe vendi është nën një bllokim pothuajse total të internetit që nga e enjtja në mbrëmje, duke e bërë të vështirë marrjen dhe verifikimin e informacionit.
Një punonjëse e një spitali në Teheran përshkroi “skena shumë të tmerrshme”, duke thënë se kishte aq shumë të plagosur sa stafi nuk kishte kohë të kryente reanimim kardiopulmonar (CPR).
“Rreth 38 persona vdiqën. Shumë prej tyre sapo kishin arritur në shtretërit e urgjencës… të shtëna direkte në kokat e të rinjve, edhe në zemrat e tyre. Shumë prej tyre nuk arritën as në spital. Numri ishte aq i madh sa nuk kishte hapësirë në morg; trupat u vendosën mbi njëri-tjetrin. Pasi morgu u mbush, i grumbulluan në dhomën e lutjeve,” tha ajo.
Punonjësja e spitalit shtoi se të vdekurit dhe të plagosurit ishin kryesisht të rinj: “Nuk mund t’i shihja shumë prej tyre, ishin 20-25 vjeç.”
BBC Persian verifikoi se 70 trupa u sollën gjithashtu në spitalin Poursina në qytetin Rasht të premten në mbrëmje. Morgu atje ishte në kapacitet të plotë, ndaj trupat u larguan. Autoritetet u kërkuan të afërmve të viktimave 7 miliardë rialë (rreth 7 mijë dollarë) për t’i liruar për varrim, tha një burim nga spitali.
Një mjek që kontaktoi BBC-në përmes lidhjes satelitore Starlink të premten në mbrëmje tha se Spitali Farabi, qendra kryesore okulistike e Teheranit, kishte hyrë në gjendje krize me shërbimet e urgjencës të mbingarkuara. Shtrimet dhe operacionet jo urgjente u pezulluan dhe stafi u thirr për të trajtuar rastet emergjente.
Forcat e sigurisë iraniane shpesh përdorin armë gjahu që lëshojnë fishekë gjatë përballjeve me protestuesit.
Një mjek nga Kashan, në Iranin qendror, tha për BBC-në se shumë protestues të plagosur ishin goditur në sy, dhe kolegët e tij në spitalet e qytetit raportuan se kishin pranuar shumë të plagosur gjatë trazirave të së premtes.
Raporte të ngjashme dolën edhe të enjten. Një mjek në një qendër mjekësore në Teheran tha: “Numri i të plagosurve dhe viktimave ishte shumë i lartë. Pashë një person që ishte qëlluar në sy, me plumbin që doli nga pjesa e pasme e kokës.”
BBC mori gjithashtu një video dhe mesazh në audio nga një mjek në një spital në Shiraz të enjten, i cili tha se një numër i madh të plagosurish po silleshin dhe spitali nuk kishte kirurgë të mjaftueshëm për të përballuar fluksin.
Pamjet që po dalin nga Irani tregojnë protestues në Teheran që dolën masivisht në rrugë të premten në mbrëmje, duke djegur automjete dhe një ndërtesë qeveritare në Karaj, pranë kryeqytetit. Ushtria iraniane tha se do t’i bashkohej forcave të sigurisë për të mbrojtur pronën publike.
Që nga nisja e demonstratave më 28 dhjetor, të paktën 51 protestues, përfshirë fëmijë, dhe 21 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë, sipas Human Rights Activists News Agency me bazë në SHBA. Mbi 2 mijë e 311 persona janë arrestuar. Iran Human Rights me bazë në Norvegji raporton gjithashtu të paktën 51 protestues të vrarë, përfshirë 9 fëmijë. BBC Persian thotë se ka verifikuar identitetin e 26 protestuesve të vrarë, përfshirë 6 fëmijë.