Me ndeshjen Apolonia-Teuta sot në orën 18:00 në Fier do të ngrejë siparin java e shtatë në Superligën e basketbollit për meshkuj.Apolonia renditet në vend të pestë me 2 fitore dhe 4 humbje, ndërsa durrsakët një pozicion më lart me 3 triumfe dhe po kaq disfata. Më tej të dielën do të jetë radha e klasikes, Vllaznia-Tirana, në orën 18:00 në Shkodër.
Për shkodranët do të debutojë trajneri i ri, Eni Llazani, me kuqeblutë që kërkojnë kthesën pas një ecurie tepër negative me 1 fitore dhe plot 5 humbje. Ndërkohë, bardheblutë janë të tretët, me 3 fitore dhe po kaq humbje.
Java e shtatë do të kompletohet të hënën, me kryesuesit e Besëlidhjes që presin Kamzën në orën 18:00 në “Asllan Rusi”.
Në Kategorinë e Parë, të tria takimet do të zhvillohen të shtunën, me javën e shtatë që rezervon këto përballje: Pogradeci-Elbasani, Skënderbeu-Partizani dhe Fieri-Flamurtari.