Javën e kaluar Kombëtarja shqiptare e basketbollit zhvilloi ndeshjen e saj të dytë në para-kualifikueset e Kupës së Botës 2027, teksa u përball me Austrinë, takim i vlefshëm për Grupin C.
Ndonëse euforia dhe pritshmëritë ishin të larta për këtë takim, parketi ofroi një realitet tjetër. Kuqezinjtë e Erkand Karajit u shkatërruan me rezultatin e thellë 63-99, në ndeshjen që u zhvillua në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Durrës.
Një humbje që jo vetëm e stacionon Shqipërinë në vendin e fundit të grupit, por e zbret disa shkallë edhe në klasifikimin botëror të FIBA-s. Institucioni më i lartë ndërkombëtar i basketbollit ka azhurnuar renditjen e re, me Kombëtaren tonë që ka humbur 5 vende, duke zbritur në vend të 99-të.
Klasifikimi botëror i FIBA-s kryesohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia renditet e dyta, ndërsa Gjermania plotëson podiumin në vend të tretë.