Fundjava do të sjellë super ndeshje në ProCredit Superligë.
Xhiroja e 11-të do të hapet me sfidën ndërmjet skuadrave verdhezi, Golden Eagle Yllit dhe Pejës apo ish-kampionëve, ku pritet një përballje mjaft interesante.
Të dy skuadrat kanë nga pesë fitore e pesë humbje, andaj pritet një sfidë e barabartë.
Duelin e parë në këtë edicion e fitoi Ylli 79:80.
Bora me Bashkimin do të ndeshen sërish, kësaj radhe në elitë, pasi të enjten u ndeshën për Kupë, ku prizrenasit fituan me 22 pikë dallim, 66:88. Në ProCredit Superligë, skuadra prishtinase ka një fitore e tetë humbje, duke u renditur e fundit, ndërsa ajo prizrenase ka tetë fitore e dy humbje.
Duel me mjaft me rëndësi zhvillohet mes Proton Cable Prizrenit dhe Vëllaznimit, skuadrave të renditura në vendin e shtatë, përkatësisht të gjashtë. Prizrenasit kanë dy fitore e tetë humbje, kurse kuqezinjtë katër fitore e gjashtë humbje.
Java e 11-të do të përmbyllet me super derbin ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës, dy skuadrave rivale dhe me traditë në basketbollin e Kosovës. Bardhekaltrit kanë gjashtë fitore e tri humbje, ndërsa ‘Xehetarët’ tetë fitore e dy humbje. Në sfidën e parë të këtij edicioni prishtinasit fituan në “Minatori” 76:82.
ProCredit Superliga-Java 11
E shtunë
17:00 Golden Eagle Ylli – Peja
19:00 Bora – Bashkimi
E diel
17:00 Proton Cable Prizren-Vëllaznimi
19:00 Sigal Prishtina – Trepça