Paris Saint-Germaini ka luajtur baras me rezultat 0-0 në udhëtim ndaj Auxerre në kuadër të javës së 14-të në elitën e futbollit francez.
Kërcënimi i parë serioz nga PSG-ja erdhi në minutën e 18-të kur gjuajtja me kokë e Goncalo Ramos u prit me shumë mund nga portieri Donovan Leon.
Në minutën e 28-të, PSG-së iu anulua një gol i shënuar nga Fabian Ruiz për shkak të pozicionit jashtë loje.
Sa i përket pjesës së dytë të takimit, Ramos pati sërish një rast ideal në minutën e 49-të por Leon bëri një tjetër super pritje.
Deri në përfundim të ndeshjes, PSG-ja pati edhe disa raste të mira shënimi, por që Leon nuk lejoi që porta e tij të prekej.
Ky ishte barazimi i dytë radhazi i PSG-së në kampionat pas atij ndaj Nantes javën e kaluar, po ashtu me rezultat 0-0.
Pas javës së 14-të, PSG-ja vazhdon si lider me 34 pikë të grumbulluara, tetë më shumë se Marseille në vendin e dytë që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.