Me dy ndeshje të luajtura dje është hapur java e tetë në Kategorinë e Parë të basketbollit për vajza.
Partizani fitoi kundër Studentit me rezultatin 79-72 në “Asllan Rusi”, në një takim që nuk kaloi pa rivalitet.
Trajnerja Eliverta Bujari eksperimentoi disa ndryshime në formacion, duke u dhënë minuta të gjitha lojtareve që kishte në dispozicion. Nga ana tjetër ekipi studentor rezistoi dhe ishte në lojë deri në fund, duke e mbajtur të hapur rezultatin.
Të kuqet morën periodën e parë 17-14, ndërsa çereku i dytë u mbyll 14-14, me ekipet që shkuan në pushimin e madh me avantazhin e Partizanit 36-33. Partizani e fiton periodën e tretë 25-20, duke thelluar në 61-53 pas 30 minutash lojë.
Studenti provon të reagojë në periodën e fundit, megjithatë Partizani e menaxhon epërsinë. 10 minutëshi mbyllet 18-19 për studentoret, ndërsa në shifra të përgjithshme triumfojnë të kuqet me 7 pikë avantazh. Shënuesja më e mirë e Partizanit në këtë takim ishte Jenna Dick, autore e 17 pikëve, ndërsa për Studentin nuk mjaftuan Marina Pëllumbi dhe Marinela Gjergji me nga 24 pikë secila.