Anadolu Efes e ka mundur thellë Panathinaikosin, 93-67 në Stamboll, ndeshje e vlefshme për javën e 15-të në Euroligë.
Ndeshja nisi me ekuiliber për të dy krahët dhe perioda e parë përfundon me vetëm 5 pikë avantazh për skuadrën turke. Më tej, në periodën e dytë Efes nis të hedhë bazat e fitores e cila do të konkretizohet në periodën e tretë ku Panathinaikos shënon vetëm 12 pikë.
Efes është shumë më lart në përqindje realizimi se Panathinaikos si në gjuajtje për 2 pikë me 68% ashtu edhe për 3 pikë me 40%. Panathinaikos e ka të vështirë të gjej ritmin, të shënojë nga larg edhe pse tenton shumë dhe mbi të gjitha nuk merr asnjë përgjigje nga qendrat.
Ndikoi mungesa e Kendrick Nunn, i cili u ndëshkua me një ndeshje për shkak të incidentit me gjyqtarin në ndeshjen me Partizanin e Beogradit. Efes mbron mirë dhe mbi të gjitha ka një frymë shumë pozitive në grup teksa vihet re nga loja e organizatorit Thompson, i cili shërben për shokët e tij në çdo aksion dhe e mbyll me 9 asist.
Perioda e katërt është thjesht inerci dhe Efes prek një diferencë deri në 29 pikë avantazh. Kjo humbje duket se ka irrituar presidentin e Panathinaikos dimitris Janakopulos i cili ka postuar në rrjetet e tij sociale në story një autobus.
Kjo nënkupton se si dënim për këtë humbje sonte skuadra do te kthehet në Athinë me autobus jo me avion siç ka ndodhur dhe rreth 7 vjet më parë po nga Stambolli ku distanca është 1088km dhe duhen minimalisht 11 orë. Me këtë fitore Efes ngjitet në vend të 9-të ndërsa Panathinaikos zbret në vend të 10-të.