NBA po planifikon të sjellë një revolucion të ri në arbitrim përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.
Komisioneri Adam Silver ka zbuluar se liga amerikane synon të implementojë një sistem të ngjashëm me teknologjinë “Hawk-Eye”, e përdorur në tenis, për të automatizuar vendimet objektive gjatë ndeshjeve.
Sistemi i ri do të përdoret kryesisht për situata si topat jashtë vijës apo përcaktimi i lojtarit të fundit që e ka prekur topin, duke shmangur ndërprerjet dhe rishikimet e gjata me video.
Sipas Silver, teknologjia do të funksionojë me kamera të vendosura rreth fushës dhe me inteligjencë artificiale që do të marrë vendime të menjëhershme.
“Nëse ndiqni tenisin, ata kanë sistemin Hawk-Eye dhe menjëherë shihet ku ka rënë topi. Ne duam të shkojmë drejt një sistemi të tillë, ku këto vendime të jenë automatike”, ka deklaruar Silver në emisionin “The Pat McAfee Show”.
Ky projekt vjen pas polemikave të shumta për arbitrimin, veçanërisht në finalet e Konferencës së Perëndimit mes Thunder dhe Spurs, ku pati ankesa të forta për disa vendime të diskutueshme.
Sipas drejtuesit të NBA-së, teknologjia do të eliminojë nevojën për “challenge” nga trajnerët dhe për kontrollin e vazhdueshëm të pamjeve nga arbitrat. “Do të jetë e menjëhershme dhe automatike. Loja do të vazhdojë pa ndërprerje”, është shprehur ai.
Silver beson gjithashtu se kjo do t’i lejojë arbitrat të fokusohen më shumë te vendimet subjektive, si kontaktet fizike dhe faullet, që sipas tij nuk mund të gjykohen vetëm nga kamerat.
Megjithatë, komisioneri nuk ka dhënë ende detaje se kur sistemi do të hyjë në fuqi, nëse ka nisur testimi apo nëse projekti duhet të marrë miratimin e pronarëve të skuadrave.
Tradicionalisht, NBA teston risitë e saj fillimisht në Summer League dhe në G League, përpara se t’i aplikojë në kampionatin kryesor.