Boksieri shqiptar nga Tirana Alban Bermeta (33) ka mposhtur sonte me nokaut kampionin bullgar Mario Vergiev, në eventin e madh të boksit që po mbahet në Angli.
Bermeta fitoi në raundin e katërt nga tetë gjithsej, duke e çuar kështu në 14 bilancin e fitoreve të tij me nokaut nga 18 duele të fituara, ndërsa ka vetëm një barazim dhe asnjë humbje.
Pas fitores, Bermeta, i cili ka debutuar në boksin profesional më 25 mars 2018, ka falënderuar organizatorët dhe diasporën shqiptare që erdhën në përkrahje të tij.
“Jam shumë i lumtur që shoh kaq shumë njerëz nga vendi im, pasi është hera e pare për mua që boksoj në një prej arenave më të famshme në botë. Arrita ta mposhtja kundërshtarin, sepse e godita shumë nga pjesa brezit nga barku që e bëri të zbulohej dhe më pas ta hidhja,” tha ai për mediat britanike.
Pjesë e eventit të boksit në Angli është edhe Spiridhon Ymri, i cili do të ndeshet kundër meksikanit Cristian Bielma. Boksieri shqiptar ka gjithsej 12 fitore në boksin profesional, prej tyre 9 me nokaut.