Sot dhe nesër në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë do të zhvillohet turneu ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari” - edicioni i 26-të me radhë.
Tetë shtete do të marrin pjesë në këtë turne, derisa risia e këtij edicioni është pjesëmarrja për herë të parë e Francës, bëri të ditur për KosovaPress, sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli.
Ai theksoi se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij turneu.
“Ne gjithçka kemi bërë gati për këtë turne madhështor që është ndër turnetë më të mëdha në rajon sa i përket boksit për arsye se është në kalendarin e garave evropiane dhe botërore. Ky është edicioni i 26-të i turneu “Adem Jashari”, besoj që edhe pse jemi frikësuar për pjesëmarrje të shteteve, prapë se prapë ia kemi dal të sjellim tetë shtete për arsye se gjatë kësaj kohe është duke u mbajtur edhe Kampionati Ballkanik - prej 16 deri më 24 nëntor - që nuk ka qenë në kalendar, por Serbia e ka marrë dhe në po të njëjtën datë kur në kalendar të garave zyrtare është turneu “Adem Jashari” këta e kanë vendosur ta mbajnë Kampionatin Ballkanik”, tha Latifi.
Në mesin e tetë shteteve, Latifi tha se për herë të parë pjesëmarrëse do të jetë edhe Franca, fakt ky që garanton boks kualitativ për dy ditë me radhë.
“Kemi siguruar të sjellim tetë shtete, ndër to duhet përmendur se do të kemi edhe boksierë nga Franca, kemi Kroacinë, Sllovakinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën dhe Holandën. Do të thotë prapë se prapë do të jenë tetë shtete dhe besoj që publiku do të jenë të kënaqur me boksin që do të ofrohet këto dy ditë në gjysmëfinale dhe finale”, tha Demolli.
Në këtë turne, Kosova do të paraqitet me dhjetë boksierë dhe sipas Latifit, pritjet janë që ata të futen në rrethin e ngushtë për të fituar medalje.
“Selektori ka paraparë dhjetë boksierë pjesëmarrës të të gjitha kategorive. Janë në formë të mirë për arsye se kemi marrë pjesë nga shtatori në të gjithë turnetë ndërkombëtar, e po ashtu edhe në Kampionatin Evropian U23 dhe besoj se janë në formën e duhur dhe do të ngadhënjejmë, por kupa “Adem Jashari” do të shkojë te boksieri më i mirë pa marrë parasysh nga cili shtet vjen, nuk do të thotë që të jetë vendor dhe të marrë kupën “Adem Jashari””, thekson Demolli.
Për më të mirët e këtij turneu, Federata e Boksit ka paraparë edhe shpërblime.
“Edhe pse nuk kemi financim aq sa duhet për këtë turne, prapë se prapë kemi paraparë që boksieri më i mirë do të marrë 500 euro, tekniku më i mirë 300 euro, çifti më luftarak nga 200 euro dhe boksieri perspektiv dhe i huaji më i mirë, nga 100 euro. Pra një stimulim i boksierëve do të jetë sepse e meriton ky turne të ketë edhe shpërblime”, tha tutje Demolli.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Federata e Boksit po planifikon që ta zgjerojë këtë turne - nga viti i ardhshëm do të zhvillohet për tri ditë me radhë - derisa pret që numri i shteteve pjesëmarrëse të shkojë deri në 20.