Boksieri britanik Daniel Dubois, kampioni i botës në peshën e rëndë në kategorinë IBF, do të bëjë mbrojtjen e kurorës ndaj neo-zelandezit Joseph Parker.
Sfida mes dy boksierëve do të zhvillohet më 22 shkurt në Arabinë Saudite.
Dubois mori titullin në shtator të këtij viti, kur fitoi me KO në raundin e pestë ndaj patriotit të tij Anthony Joshua.
Nga ana tjetër, Joseph Parker, është vetë një ish-kampion bote në peshën e rëndë dhe kërkon të rikthehet në majë pas shumë vitesh.
Caktimi i kësaj sfide ka bërë që të paktën në gjashtë muajt e parë të 2025-ës të mos ketë një unifikim të titujve kampionë bote në peshën e rëndë. Më 21 dhjetor, po në Riad të Arabisë, do të zhvillohet revanshi mes Oleksandr Usyk e Tyson Fury.
Ishte përfolur se Dubois do të përballej me fituesin e kësaj sfide, por ai ka zgjedhur të mbrojë titullin ndaj Parker. Ndoshta unifikimi mund të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.