Boksieri britanik Tyson Fury ka sugjeruar se sfida e 21 dhjetorit mes tij dhe ukrainasit Oleksandr Usyk mund të mos jetë e fundit mes tyre. Ai ka konfirmuar se ka shumë gjasa që dy boksierët të zhvillojnë një triologji vitin tjetër, por vetëm nëse plotësohet një kusht i veçantë.
Revanshi është planifikuar të zhvillohet në Arabinë Saudite më 21 dhjetor, me “mbretin cigan” Tyson Fury që kërkon hakmarrje.
Në përballjen e parë, të zhvilluar në maj të këtij viti, Usyk fitoi me vendim shumice ndaj britanikut, duke u bërë kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë.
Fury tani ka konfirmuar planet për një përballje të tretë kundër kundërshtarit të tij aktualisht të pamposhtur. Gjithsesi, ai pranon se fillimisht do t’i duhet të fitojë sfidën e ardhshme, për të barazuar 1-1 serinë e dueleve mes tyre. “Unë do të fitoj dhe më pas duhet të ketë një trilogji. Duhet patjetër një sfidë e tillë”, tha Fury.
“Nëse ai fiton një dhe unë fitoj një, nuk mund të them se jam më i mirë dhe ai nuk mund të thotë se është më i mirë. Duhet të ketë një përballje të tretë. Unë nuk i lë gjërat në mes, pasi jam më i miri dhe ai e di se si fitoi sfidën e parë”, u shpreh Fury, që deri më tani ka mbajtur një profil të ulët pasi ai vazhdon të punojë në një kamp trajnimi intensiv.