Federata çon MAS në Prokurori: Grup i strukturuar korruptiv, ja shkelësit e ligjit

Boksi

Federata çon MAS në Prokurori: Grup i strukturuar korruptiv, ja shkelësit e ligjit

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 11:17
Pamje

Prej vitesh Arbis Vjerdha, president i Federatës Shqiptare të “Kick & Thai Boxing” ka denoncuar mbivendosjen e një tjetër federate në aktivitetet e saj (Federatës Shqiptare e ‘Kick Boxing), duke akuzuar drejtpërdrejt Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.Pasi shumë shkresash dhe dokumentesh të dorëzuara në MAS, Vjerdha bën të ditur se sipas tij ministria jo vetëm që nuk ka menduar ta zgjidhë këtë situatë, për ka punuar për ta mbuluar “pisllëkun”.

Pas një pritjeje të gjatë që nuk solli asnjë zgjidhje për pretendimet e tij, Vjerdha ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm, teksa njofton për “Panorama Sport” se ka bërë kallëzim në Prokurori ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Së bashku me padinë, gazeta ka siguruar letrën që presidenti i “Kick & Thai Boxing”, Arbis Vjerdha i ka dërguar së fundmi ministres aktuale të MAS, Ogerta Manastirliut.

LETRA E FEDERATËS

“E nderuar znj. ministre, detyrohem t’iu bëj këtë letër të hapur publike, mbas disa denoncimeve me shkrim që ju kam drejtuar personalisht dhe për të cilat ende sot nuk kam marrë një përgjigje zyrtare. Denoncimi im ka ardhur si pasojë e një kërkese për informacion të ardhur nga MAS në adresë të Federatës Shqiptare së ‘Kick & Thai Boxing’ më datën 10.11.2023, ku kërkohet fillimi i procedurës së hetimit administrativ dhe rivendosja e ligjshmërisë të federatës sonë, pasi një federatë paralele (Federata Shqiptare e ‘Kick Boxing’) pretendonte në paligjshmërinë e Federatës Shqiptare të ‘Kick & Thai Boxing’. Ministria e Arsimit dhe Sportit, ose më saktë struktura dhe persona të veçantë brenda kësaj ministrie, në muajin mars 2023 kanë miratuar statutin për krijimin e Federatës Shqiptare të ‘Kick Boxing’, ndërkohë që në Shqipëri ekziston Federata Shqiptare e ‘Kick & Thai Boxing’, çka do të thotë se MAS ka krijuar një federatë tjetër me të njëjtin aktivitet si të federatës ekzistuese.

Ndërkohë federata e re e krijuar në mars të 2023 (kujtoj se Federata Shqiptare e ‘Kick & Thai Boxing’, që unë drejtoj është krijuar në qershor të 2012) nëpërmjet një shkrese drejtuar MAS, akuzonte federatën tonë se i qenkemi mbivendosur ne asaj, dhe kjo gjë natyrisht nuk ka qenë rastësore, por e sugjeruar dhe ndihmuar nga persona të caktuar brenda MAS, të cilët me patjetër duhet të mbajnë përgjegjësi për paligjshmërinë e krijuar. Për dijeninë tuaj, ashtu edhe siç ju kemi informuar në një shkresë tonën precedentë nr. 6571, datë 18.12.2023 që e gjeni të depozituar në MAS, ju informojmë se: Urdhri i ministrit për federatën tonë mban datën 13.06.2012, dhe është i shoqëruar me miratimin e statutit të Federata Shqiptare e ‘Kick&Thai-Boxing’, natyrisht firmosur e vulosur në çdo faqe nga ministri i kohës. Federata Shqiptare e ‘Kick&Thai-Boxing’ është anëtare e KOKSH me vendim nr.10 të datës 17.03.2015 të Asamblesë së Përgjithshme të KOKSH; si dhe jemi të anëtarësuar në Federatën Botërore të Kick-Boxing që prej datës 10.01.2014, anëtarësim i cili i është komunikuar edhe në MAS e KOKSH me shkresë zyrtare.

Zonja Manastirliu, kush ju drejtohet me këtë letër të hapur publike, nuk është ndonjë diletant apo person i painformuar mbi sportin dhe procedurat e tij, por ju shkruan Arbis Vjerdha, president i Federatës Shqiptare të ‘Kick&Thai-Boxing’, që jam i vetmi kampion i Botës dhe i Europës në ‘Kick-Boxing- &Thai-Boxing’, në historinë e këtij sporti në Shqipëri, si dhe i ftuar dhe përgëzuar publikisht nga kryeministri Edi Rama për titujt që kam sjellë në Shqipëri gjatë karrierës time. E mbylla karrierën në moshën 40 vjeçare me tituj Botërorë, Europiane dhe të eventeve më prestigjioze në Botë.

Aq kupa dhe medalje sa i kam sjellë në vendin tim nuk i kanë sjellë 37 federata së bashku. Zonja ministre, në kushtet kur ne u jemi përgjigjur se kush jemi ne si federatë, sepse kështu e kërkuan strukturat tuaja të MAS, gjykojmë që hetimi i strukturave tuaja nuk ka shkuar deri në fund për Federatën Shqiptare të ‘Kick Boxing’. Në mënyrë që edhe ata të paraqesin të gjithë dokumentacionin për krijimin e federatës, pasi kemi patur gjithmonë informacion të sigurt që kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të atyre që e kanë miratuar, pra personave që punojnë në MAS, duke qenë se e kanë ditur mirë që një federatë e këtij sporti ekziston dhe se nuk mund të krijohej një tjetër paralele.

Kam dashur të besoj zonja ministre se do të kisha një reagim më serioz nga ana juaj të besoj në një përgjigje serioze dhe mbi zbulimin e të vërtetës se kush nga vartësit tuaj, ka kërkuar të bëjë qoka në mënyrë tinzare dhe të paligjshme, si dhe të zgjidhej kjo paligjshmëri, nga ata që e krijuan. Në takimin e bërë nga federata jonë me strukturat e drejtorisë së Sportit në ambientet e MAS, denoncova me zë e figurë që keni krijuar një federatë tjetër paralele në mënyrë të paligjshme, dhe se përgjegjës kryesor për këtë gjë është sekretari juaj i përgjithshëm, Erzen Tola, të cilin e cilësoj si përgjegjësin kryesor të këtij grupi korruptiv dhe të strukturuar në MAS, si një njeri përgjegjës direkt, së bashku me përgjegjësin e sportit Arjan Konomi, i cili ka qenë relatori i dosjes si në vitin 2013, ashtu edhe në vitin 2023 kur paraardhësja juaj znj. Evis Kushi miratoi aktin korruptiv të krijimit të një federate paralele.

Përfundimisht i jam drejtuar me një kallëzim penal Prokurorisë Shqiptare, gjë të cilën ua kisha paralajmëruar verbalisht edhe vartësve tuaj, të cilët qeshën kur e thashë, por që tanimë do të kenë të bëjnë me organin e Prokurorisë, për shkeljet dhe paligjshmëritë e krijuara nga institucioni juaj, i cili duhet të ishte garant i sportit dhe jo çerdhe e të paaftëve dhe të korruptuarve. Hetimet tuaja false kanë pasur si synim vetëm mbulimin e pisllëkut dhe jo zbardhjen apo zgjedhjen e problemit, pasi unë personalisht i jam drejtuar Gjykatës së Tiranës dhe kam marrë dokumentacionin me të cilin federata paralele është regjistruar në vitin 2013, të cilin po jua servir të paaftëve dhe të korruptuarve që ju drejtoni, në mënyrë që ta shikojnë dhe të kuptojnë se deri ku kanë shkuar me veprimet dhe mosveprimet e tyre.

Urdhrat që po publikoj flasin qartë se si janë hartuar dhe se si janë gjoja firmosur nga ish ministri i kohës, Visar Zhiti, një njeri që gjithë Shqipëria e njeh si shkrimtar dhe jo si firmëtar të këtyre paçavureve që ju tashmë i keni legalizuar me një urdhër të ri. Në ditët në vazhdim do t’iu dërgoj gjithë dokumentacionin provues të shkeljeve tuaja, të cilin tashmë e kam dorëzuar edhe në Prokurori. Ju pata lajmëruar zonja ministre që njerëz të veçantë aty tek institucioni juaj, po hanë dardha mbas shpinës tuaj, por shikoj që tashmë ata po hanë shalqi, se me dardhat me sa duket nuk kanë të ngopur.

Pres reagimin tuaj, mundësisht publik. Arbis Vjerdha, president i Federatës Shqiptare e ‘Kick&Thai-Boxing’”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat