Të dielën pasdite, në Premier League do të luhet derbi i Manchester, mes City dhe United. Dy skuadra që nuk po kalojnë një moment të mirë, ndaj dëshirojnë fitoren.
Skuadra e “djajve të kuq” mund të ketë dy tifozë specialë për t’i mbështetur. Bëhet fjalë për dy boksierët e peshës së rëndë, Tyson Fury the Oleksandr Usyk.
Të dy ata do të përballen në Riad pas një jave, për titujt kampionë bote në peshën e rëndë. Britaniku dihet që është tifoz i Manchester United, por duket se edhe Usyk bën tifo por të njëjtën skuadër.
Ukrainasi e konfirmoi këtë gjë në një deklaratë të shkurtër një ditë para derbit të Manchester. “Unë dhe Tyson kemi një dashuri të përbashkët, jemi tifozë të Manchester United”, tha Usyk.
“E ftoj që ta shohim ndeshjen së bashku në një Pub, pasi mendoj se mund të kalojmë një ditë argëtuese së bashku, pa menduar për ringun”, shtoi ukrainasi.
Në fund, Usyk tha: “Ne të dy duam që United ta fitojë këtë sfidë”. Revanshi mes tyre do të zhvillohet më 21 dhjetor në Arabinë Saudite, një javë pas derbit të Manchester.